Përsëri shpërthime në Mitrovicë të Veriut

Pak minuta më parë kanë ndodhur dy shpërthime në Kodrën e Minatorëve dhe një në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut.

Sipas burimeve të KALLXO.com shpërthimet janë regjistruar në ora 20:38.

Shpërthime të tilla në këtë zonë ka pasur edhe gjatë ditës së martë.

Disa grupe të qytetarëve serbë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut penguan të martën hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente, por pa pasoja në njerëz.

Incidentet ndodhën derisa Policia po i shoqëronte zyrtarët e KQZ-së drejt hapjes së komisioneve komunale zgjedhore.

Komunat në veri të Kosovës janë pa kryetarë që nga fillimi i nëntorit.

Ata dhanë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

Bazuar në Ligjin për zgjedhjet, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli më pas 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave veriore.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një konference për media theksoi se sipas informacioneve të para, pjesë e sulmit kanë qenë edhe disa ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Xhelal Sveçla: Ish-pjesëtarë të Policisë të përfshirë në sulmin në veri (VIDEO)