Lufta në Ukrainë: Dita 26

Sot është dita e 26 e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. 

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Perëndimi ka vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit të tërheqë forcat nga Ukraina.

Forcat ruse po vazhdojnë përpjekjet e tyre për të marrë nën kontroll sa më shumë qytete të Ukrainës duke shkaktuar viktimanë civilë dhe shkatërrime të mëdha në infrastrukturë, ndërkohë që ukrainasit, të udhëhequr nga presidenti Volodymyr Zelenskyy, po bëjnë rezistencë të ashpër me çdo mjet të mudndshëm.

Afati që Moska u dha zyrtarëve ukrainas në qytetin e rrethuar të Mariupolit për t’iu dorëzuar forcave ruse kaloi në orën 5 të mëngjesit me orën e Moskës, me Ukrainën që refuzoi ultimatumin. Ndërkohë, të paktën një person ka humbur jetën pas një shpërthimi në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

Nëse po na bashkangjiteni tani, këto janë zhvillimet e fundit në Ukrainë:

Qeveria ukrainase dhe autoritetet e qytetit të Mariupolit i hodhën poshtë kushtet e vendosura nga Rusia duke kërkuar që ata ta dorëzonin qytetin jugor të rrethuar nga forcat ruse. Një afat i fundit në 5 të mëngjesit të Moskës (10 pasdite) tashmë ka kaluar. “Nuk mund të diskutohet për ndonjë dorëzim apo për dorëzim të armëve”, tha zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Irina Vereshchuk. Qyteti port i Mariupol, i cili para luftës ishte shtëpia e rreth 450,000 njerëzve, ka qenë pothuajse nën sulm të vazhdueshëm nga forcat ruse që nga fillimi i marsit me imazhet satelitore që tregojnë shkatërrime të konsiderueshme në zonat e banuara.

Ndërsa ultimatumi rus dukej se u ofronte atyre që zgjodhën të dorëzonin kalimin e sigurt jashtë qytetit, ai nuk jepte asnjë garanci të tillë për ata që kishin mbetur.

Një këshilltar i kryebashkiakut të Mariupol tha se zyrtarët në qytet po përpiqen ta zbulojnë saktësisht se sa njerëz mbijetuan pasi një shkollë arti u bombardua nga forcat ruse të dielën në mëngjes. Shumë njerëz fshiheshin në shkollën që shërbente si strehë. Një vlerësim i mëparshëm nga këshilli i qytetit e ka dhënë numrin e të strehuarëve në ndërtesën e shkollës në 400. Rreth 7,295 njerëz u larguan nga qyteti Mariupol të dielën përmes korridoreve të evakuimit, tha Vereshchuk.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se është i gatshëm të negociojë me presidentin rus Vladimir Putin, por paralajmëroi se nëse ndonjë përpjekje për negociata dështon, kjo mund të nënkuptojë se lufta midis dy vendeve do të çojë në “një Luftë të tretë Botërore”. “Jam gati për negociata me të. Isha gati për dy vitet e fundit. Dhe unë mendoj se pa negociata, ne nuk mund t’i japim fund kësaj lufte, “ka thënë  Zelensky për CNN.

Të paktën një person u vra pas një shpërthimi në qarkun Podilskyi të kryeqytetit ukrainas të dielën. Një qendër tregtare dhe vetura në një parking ngjitur morën flakë pas bombardimeve ruse, tha shërbimi i emergjencës i Ukrainës. Ndërkohë, trupat ruse në Ukrainën jugore janë “ende duke u përpjekur ta anashkalojnë (qytetin jugor të) Mykolaiv, ndërsa synojnë të lëvizin drejt perëndimit drejt Odesës”, tha Ministria Britanike e Mbrojtjes. Forcat detare ruse, tha ai, “vazhdojnë ta bllokojnë bregdetin ukrainas dhe të lëshojnë sulme me raketa mbi objektivat në të gjithë Ukrainën”.

Presidenti i SHBA Joe Biden dhe liderët e tjerë botërorë do të mbajnë një sërë samitesh urgjente në Evropë këtë javë. Megjithatë, pak vëzhgues besojnë se çdo gjë për të cilën mund të bien dakord do të jetë e mjaftueshme për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Ukrainë. Biden “nuk ka plane” ta vizitojë Ukrainën, thotë Shtëpia e Bardhë, por ai do të udhëtojë në Varshavë, Poloni pas takimeve me aleatët e NATO-s, G7 dhe liderët e Bashkimit Evropian./CNN