Cilat janë kriteret që duhet plotësuar një institucion i arsimit të lartë për t'u akredituar?

Naim Gashi, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), tregon disa prej kritereve bazike që një institucion i arsimit të lartë duhet të plotësojë për të marrë akreditim.

“Procesi i akreditimit fillon me dërgimin e një aplikacioni në AKA. Aplikacioni shqyrtohet fillimisht nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë. Institucioni duhet t’i ketë tre bartës të fushës e më pas ftojmë ekspertë ndërkombëtarë të cilët e vlerësojnë atë program. Nëse merr vlerësim pozitiv, ku brenda tij përfshihen edhe stafi akademik, hulumtimet, pajisjet, laboratoret, puna praktike”- ka thënë Gashi në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai shtoi se këtë vit kanë krijuar edhe sistem për monitorim të procedurave pasakredituese.

“Për herë të parë AKA gjatë këtij viti ka krijuar metodologjinë e monitorimit të procedurave pasakredituese. Më herët AKA e ka dhënë akreditimin për tre vite dhe nuk ka pasur mekanizma të shohë nëse stafi jeton në Kosovë apo shembull në Maqedoni të Veriut ose Shqipëri”- shtoi ai.

Sipas Gashit, i gjithë stafi akademik është i obliguar 40 orë në javë të qëndrojë në Kosovë.

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim potencoi se kanë marrëveshje me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut për verifikim të stafit, që mund të jenë me orar të plotë edhe në këto vende.

“Kemi marrëveshje edhe me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut për verifikim të stafit që mund të jenë me orar të plotë atje, dhe i kemi larguar me automatizëm nga sistemi. Asnjë staf akademik nuk i merr dy paga prioritare në shtetin e Kosovës”- deklaroi Gashi.