Lirimi i Pantiqit nga paraburgimi erdhi pas kërkesës së Prokurorisë

 

Prokuroria Speciale ishte ajo që kërkoi zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak, ndaj Dejan Pantiqit, ish-zyrtari policor i cili ishte duke vuajtur masën e paraburgimit mbi dyshimet se i njëjti sulmoi zyret  e KQZ-së në veri.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Gjykata e  Prishtinës, ka pranuar kërkesë nga Prokuroria Speciale, për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak, pas kësaj kërkese Gjykata nxori aktvendim që e aprovoi një kërkesë të tillë” – tha Mirlinda Gashi.

Kundër këtij vendimi u deklarua edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklarim ky që shkaktoi reagim nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

KGjK i përgjigjet Kurtit: Bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marr këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës

 

Pantiq ishte arrestuar nga policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyret e KQZ në Mitrovicë.

Ndaj Pantiqit ekziston dyshimi nga Prokuroria Speciale se organizoi sulmet e 6 dhjetorit të 2022-ës që ndodhën ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Sulmi ndodhi gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Ndaj Pantiqit, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh.

Arrestimi i tij bëri që nga data e lartcekur e deri më sot rrugët e veriut të Kosovës të jenë të bllokuara nga barrikada që u vendosën në komunat me shumicë serbe.

Në një video nga Rudarja, lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, përmes një porosie që ia ka dërguar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i ka numëruar edhe kushtet për largimin e barrikadave në veri.

“Lirimi i të gjithë serbëve të arrestuar, tërheqja e të gjitha njësive nga veriu i Kosovës, heqja e të gjitha listave dhe listave sekrete për vrasjen e serbëve” – deklaroi Rakiq.

Adresimi i kryetarit të Listës Serbe erdhi pas deklarimit të kryeministrit Albin Kurti për median britanike “The Guardian”, në lidhje me situatën në veri të Kosovës.

Kurti ka deklaruar se largimi i barrikadave mund të shkaktojë edhe pasoja, kështu që po duan të jenë të kujdesshëm.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e Dejan Pantiq – LINK