KGjK i përgjigjet Kurtit: Bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marr këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka reaguar ndaj deklarimeve të kryeministrit, Albin Kurti në lidhje me ndryshimin e masës ndaj ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq.

Sot gjatë ditës, shefi i Qeverisë, Albin  Kurti tha se është “kureshtar të dijë se cili prokurorë kërkoi arrestin shtëpiak të Pantiq dhe cili gjqytar e aprovoi”.

Në një reagim publik, KGjK tha se sistemi i drejtësisë duhet të jetë i pavarur.

“Rikujtojmë Kryeministrin se gjyqtarët janë dhe duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, ndërsa tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme dhe si të tilla i dënojmë fuqishëm” – thuhet në reagim.

“Sa i përket pyetjes së Kryeministrit Kurti për emrin e gjyqtarit që ka vendosur në lidhje me këtë rast, Këshilli Gjyqësor publikisht e informon Kryeministrin Kurti se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marr këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë” – thuhet tutje në reagim.

Pantiq ishte arrestuar nga policia e Kosovës më datën 10 dhjetor për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë.

Ndaj Pantiqit ekziston dyshimi se organizoi sulmet e 6 dhjetorit të 2022-ës që ndodhën ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Sulmi ndodhi gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Ndaj Pantiqit, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh.

Arrestimi i tij bëri që nga data e lartcekur e deri më sot rrugët e veriut të Kosovës të jenë të bllokuara nga barrikada që u vendosën në komunat me shumicë serbe.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e Dejan Pantiq – LINK