Amal Khalil, korrespodentja e vrarë e gazetës “Al-Akhbar” në Libanin jugor. Burimi: “Al-Akhbar”
Libani akuzon Izraelin për shënjestrimin e gazetares së vrarë në sulmin ajror
Kryeministri i Libanit ka akuzuar Izraelin për krime lufte pasi bombardimet ajrore izraelite vranë të mërkurën (22.04.2026) një gazetare dhe plagosën një tjetër në Libanin jugor. Sulmi vrau Amal Khalilin, e cila punonte për një gazetë libaneze, dhe plagosi fotografen e pavarur Zeinab Faraj, ka raportuar të enjten BBC.
Zyrtarët në Liban thonë se gazetaret u shënjestruan qëllimisht derisa po mundoheshin të strehoheshin në një shtëpi pasi një sulm fillestar ajror goditi automjetin para tyre, duke vrarë dy burra.
Zyrtarët libanezë kanë akuzuar gjithashtu Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) se shënjestruan qëllimisht një ambulancë me shenja dalluese, derisa po përpiqej të arrinte te gazetarët në fshatin Tayri.
IDF-ja ka mohuar se po pengonte ekipet e shpëtimit të arrinin në zonë dhe ka theksuar se nuk kishte shënjestruar gazetaret.
Gazetaret Khalil, 43 vjeçe, e cila punonte për gazetën libaneze, “Al-Akhbar”, dhe Faraj, një fotografe e pavarur, po udhëtonin së bashku. Nuk janë treguar emrat e burrave që vdiqën nga sulmi i parë.
Kryeministri libanez, Navaf Salam, ka deklaruar: “Shënjestrimi i gazetarëve, pengimi i qasjes së ekipeve të ndihmës dhe madje shënjestrimi i vendndodhjeve të tyre përsëri pasi këto ekipe mbërrijnë përbën krime lufte të përshkruara”. Ai ka akuzuar Izraelin për sulme të përsëritura ndaj punonjësve të medias në Libanin jugor, në atë që ai e përshkroi si “një qasje e vendosur”.
Salami i ka shprehur ngushëllime familjes së Khalilit dhe tha se Libani do të kërkojë drejtësi për “krimet para forumeve ndërkombëtare kompetente”.
Deklarimi i Ushtrisë izraelite
Në një deklaratë, IDF-ja ka thënë se “nuk i sulmon gazetarët dhe vepron për të zbutur dëmin ndaj tyre, duke ruajtur sigurinë dhe mbrojtjen e trupave të saj”.
IDF-ja ka deklaruar se kishte identifikuar dy automjete që ishin “larguar nga një strukturë ushtarake e përdorur nga ‘Hezbollahu’”.
Një nga automjetet iu ishte afruar trupave izraelite në një mënyrë që përbënte “kërcënim të menjëhershëm” pasi kishte kaluar “vijën mbrojtëse përpara”, duke shkelur armëpushimin, thuhet në deklaratë.
IDF-j aka thënë gjithashtu se Forcat Ajrore Izraelite më pas goditën njërin nga automjetet dhe se “struktura nga e cila kishin ikur individët u godit gjithashtu”.
Ministria libaneze e Shëndetësisë ka njoftuar se IDF-në “ndoqën” Khalilin dhe Farajin, “të cilat ishin strehuar nga bastisja e parë në një shtëpi aty pranë, duke synuar shtëpinë ku ato kishin kërkuar strehim”.
Pengimi i indihmës emergjente
Kur një ambulancë e Kryqit të Kuq libanez mbërriti që t’i trajtonte të plagosurat, forcat izraelite hodhën një granatë zhurmuese dhe qëlluan armë zjarri drejt automjetit, duke e penguar atë arrinte tek ato, thekson Ministria në një deklaratë.
“Kjo përbën shkelje të dyfishtë të hapur: pengimin e përpjekjeve të shpëtimit të një qytetareje të njohur për aktivizmin e saj qytetar në media dhe shënjestrimin e një ambulance të shënuar qartë me emblemën e Kryqit të Kuq”, tha Ministria e Shëndetësisë.
Reporterët pa Kufij njoftuan Izraelin për ambulancën
Clayton Ëeimer, drejtori ekzekutiv i Reporterëve pa Kufij, ka deklaruar se IDF-ja kishte marrë mesazhe nga organizata, si dhe nga gazetarët, duke kërkuar që të lejonte ambulancat të shkonin te Khalilit.
“Kryqi i Kuq sinjalizoi se nuk ishin në gjendje të kalonin për shkak të bombardimeve të vazhdueshme izraelite. Pra, kjo është shpërfillje e pamëshirshme, përveç asaj që duket të jetë një vrasje e qëllimshme dhe e synuar e një gazetareje”.
Faraj u evakuua përfundimisht së bashku me dy nga të vdekurit, shtohet në deklaratë. Trupi i Khalilit u gjet më vonë nga ekipet e emergjencës, sipas agjencisë së mbrojtjes civile të Libanit.
Al-Akhbar ka shkruar në një artikull mbi vdekjen e saj se Khalil “mbeti e palëkundur në detyrën e saj humanitare dhe profesionale”.
Ëilliam Christou, gazetar i “The Guardianit”, i cili mbulon Lindjen e Mesme për gazetën londineze, e ka përshkruar Khalilin në një postim në X si “gazetare profesioniste, të sjellshme dhe të përkushtuar, dhe se gjithmonë ishte një kënaqësi ta takoje në terren”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com