Leonis Frangu hesht ndaj akuzës për terrorizëm

Leonis Frangu, i akuzuar për terrorizëm ka vendosur të mbrohet në heshtje.

Franu ishte liruar nga Gjykata e Prishtinës por u rikthye në bankën e të akuzuarit  nga Gjykata e Apelit.

Sot ishte paraparë që të dëgjohet dëshmitari Blerim Syla.

Ndërsa në seancën e  kaluar ishte dëgjuar dëshmitari i mbrojtur  “A2” i cili kishte rrëfyer jetën dhe stërvitjet në kampin e Sirisë për 21 ditë.

Sot mungoi dëshmitari Blerim Syla,  i cili sipas informatave të Policisë së Vitisë,  gjendet jashtë vendit. Ai nuk ishte dëgjuar as në gjykimin e kaluar.

Në lidhje me mungesën e dëshmitarit, Prokurori Special Atdhe Dema propozoi që të lexohet dëshmia e tij e dhënë me datën 6 korrik 2015 në Stacionin Policor të Vitisë.

Por leximin e dëshmisë së dëshmitarit Syla, e kundërshtoi avokati Armend Shkoza, mbrojtës i të akuzuarit Frangu për shkak se asnjëherë nuk iu ishte dhënë mundësia ta kundërshtojnë këtë deklaratë.

Gjykata mori vendim që të lexohet deklarata e dëshmitarit Syla e dhënë në Stacionin Policor  në Viti, me datën 6 korrik 2015.

I akuzuari Leonis Frangu nuk pranoi të deklarohet në këtë gjykim dhe shfrytëzoi të drejtën që të mbrohet në heshtje.

Pasi i akuzuari u mbrojt në heshtje, gjykata kaloi në fjalën përfundimtare.

Prokurori i rastit Atdhe Dema në fjalën përfundimtare deklaroi se qëndron në tërësi pranë fjalës të dhënë në gjykimin e kaluar dhe kërkoi nga gjykata që të akuzuarin Frangu ta shpall fajtor dhe t’i shqiptojë një dënim me të cilën do të arrihet qëllimi i dënimit.

Ai gjithashtu ceku se si rrethana rënduese gjykata duhet të marrë faktin se i akuzuari Frangu ka kryer me dashje dhe seriozitet të theksuar veprën penale.

I njëjti tha se si prokurori nuk kanë asnjë rrethanë lehtësuese për të pëmendur.

Avokati Armend Shkoza, në fjalën përfundimtare deklaroi se qëndrojnë pranë gjithë deklarimeve në gjykimet e kaluara,  dhe i propozon gjykatës që të shpallë aktgjykim lirues sepse “nuk ka asnjë provë që e vërteton fajësine e Leonis Frangut”.

Aktakuza thotë se Leonis Frangun se më 3 nëntor 2014, pas një marrëveshjeje paraprake me Blerim Sylën, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kishin fluturuar në Aeroportin e Stambollit në Turqi. Nga Stambolli ata kishin shkuar së pari në Hatay dhe nga atje në një qytet tjetër të Turqisë afër me kufirin me Sirinë ku i ishin bashkuar organizatës terroriste ISIS.

Gjykata e Prishtinës në shkurt të 2018 kishte liruar Frangun nga akuza për veprën penale bashkim dhe pjesëmarrje në terrorizëm. Kurse Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim për shkak të mos vërtetimit të plotë të gjendjes faktike.