Foto: Kallxo.com
Dëshmitari i mbrojtur tregon për jetën dhe stërvitjet në kampet e Sirisë
I liruar nga gjykata e Prishtinës por i kthyer në rigjykim nga Apeli, Leonis Frangu ka dalë të hënën sërish para gjyqit për t’u përgjigjur në akuzat për terrorizëm.
Prokuroria Speciale e akuzon Frangun për pjesëmarrje dhe organizim në grupe terroriste.
Seanca e sotme është mbajtur në Gjykatën e Gjilanit për shkak të mjeteve teknike adekuate për dëgjimin e dëshmitarëve të mbrojtur.
Aktakuza e rëndon Leonis Frangun se më 3 nëntor 2014, pas një marrëveshjeje paraprake me Blerim Sylën, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kishin fluturuar në Aeroportin e Stambollit në Turqi. Nga Stambolli ata kishin shkuar së pari në Hatay dhe nga atje në një qytet tjetër të Turqisë afër me kufirin me Sirinë ku i ishin bashkuar organizatës terroriste ISIS.
Gjykata e Prishtinës në shkurt të 2018 kishte liruar Frangun nga akuza për veprën penale bashkim dhe pjesëmarrje në terrorizëm. Kurse Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim për shkak të mos vërtetimit të plot të gjendjes faktike.
Në seancën e sotme u dëgjua një dëshmitar i mbrojtur i cili tha se nuk i kujtohet të ketë dhënë deklaratë me 12 janar 2016.
Dëshmitari i mbrojtur tha se në Siri kishte qëndruar 3 muaj, kurse brenda në kamp kishte qëndruar 21 ditë.
“Në kampin në Siri kam qëndruar 21 ditë. Kampi ka qenë vendi ku kemi hangër, kemi pirë, aty i kam pa disa persona nga Kosova por me emra nuk i njoh, ndoshta po ti kisha parë, i kisha njoftuar. Nuk e di të kem dhënë deklaratë ku kam thënë se njëri nga ta që kam qëndruar bashkë në Siri të jetë tani i akuzuari Leonis Frangu. Gjithashtu nuk më kujtohet se unë kam thënë se e njoh të akuzuarin siç po thotë Prokurori përmes tregimit të tij në foto”, tha mes tjerash dëshmitari i mbrojtur.
Pasi iu tregua pamja e të akuzuarit përmes videos, dëshmitari i mbrojtur tha se nuk e njeh atë si dhe nuk i kujtohen deklaratat qe i kishte dhënë më herët.
“Fillimisht kur kam shkuar në kamp, kam qenë i angazhuar për të dhënë ndihma por aty si kam hyrë menjëherë më ka dalë diçka tjetër. Në kampin ku unë kam qëndruar ka qenë i vendosur flamuri zyrtar i shtetit të Sirisë, por tani nuk më kujtohen ngjyrat e tij”, tha dëshmitari.
Tutje duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Armend Shkoza, dëshmitari tha se, në kamp kishte qenë “për të dhënë ndihma humanitare”.
“Unë mbetem pran deklaratës që e kam dhënë dhe aty e kam sqaruar se pse kam bartur rroba të ushtrisë. Flamuri që ka qenë i vendosur në kamp ka pasur të shkruar tri shkronja që kanë qenë FSA… Këtë forcë e ka përkrah edhe shteti i Kosovës, pasi që kjo nuk është organizatë terroriste me sa e kam parë në TV. FSA është formacion ushtarak. Pseudonimin “Ubejda” e kanë pasur 5-6 shqiptarë, ndër ta ka pasur edhe nga Kosova edhe nga Shqipëria”, shtoi dëshmitari.
Pasi e pyeti gjykatësi Shashivar Hoti se pse jeni veshur me uniformë ushtarake në kamp, dëshmitari tha se kjo ka qenë e detyrueshme.
“Pasi kemi hyrë në kamp kanë ardhur na kanë marrë dhe u dashtë të veprojmë qysh na thonin ata. Aty për 21 ditë kemi bërë ushtrime, në zona të luftës nuk kam qenë asnjëherë. Me pasë mundësi isha largu menjëherë, por nuk mundesha. Prej kampit mu largu më ka ndihmu një shqiptar, i cili më ka qit në Stamboll dhe prej aty jam kthyer për Prishtinë”, tha ky dëshmitar.
Në mungesë të dëshmitarit Blerim Syla, i cili për gjykatën ishte i paarritshëm deri më tani, seanca u shty për 14 shkurt.