LDK për grevën: Të ndalet menjëherë presioni ndaj mësimdhënësve dhe të gjendet një zgjidhje për ta

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes një konference për media kanë kërkuar nga Qeveria që të ndalet, sipas tyre, presioni ndaj mësimdhënësve dhe të gjendet një zgjidhje për kërkesat e adresuara nga ta.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) nga dje ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend. BSPK-ja ka thirrur grevën deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve nga Qeveria e Kosovës.

Kryesuesja e forumit të gruas në LDK, Jehona Lushaku ka thënë se kërkesa e listave të punonjësve të arsimit publik për t’i pezulluar nga kontratat e punës, është fyerje e integritetit dhe dinjitetit të tyre.

“Kërkimi i listave të grevistëve për të dënuar apo pezulluar kontratat e punës është një goditje e ulët dhe përveç qe është presion, është e frikësim i drejtpërdrejt, është edhe cenim i demokracisë, është  praktikë tipike e autokratëve për të heshtur kritikat dhe pakënaqësitë e qeverisjes së tij”- ka thënë Lushaku.

Sipas saj, Qeveria me këto veprime ka zgjedhur kërcënimin financiar për mësimdhënësit dhe sektorin publik.

Në vend se të dialogojë dhe të gjejë një zgjidhje, qeveria ka zgjedhur kërcënimin financiar për mësimdhënësit dhe sektorin publik në kohën kur kriza financiare në vend po thellohet pikërisht nga mosveprimi i kësaj qeverie”.

Ndërsa, sipas LDK-së viti i ri shkollor duhet të fillojë më 1 shtator.

“Ne fuqishëm besojmë qe viti shkollor duhet të fillojë më 1 shtator pa presion mbi nxënësit, pa presion mbi mësuesit dhe prindërve”- ka thënë Jehona Lushaku.

Po ashtu sipas kësaj partie, në sektorin e arsimit në Kosovë ekzistojnë edhe probleme tjera, njëra nga to edhe sigurimi i ngrohjes nëpër shkolla.

“Përveç kësaj, ka edhe probleme të tjera të keq menaxhimit me shkollat që ka të bëjë me mos sigurimin e ngrohjes në shkollat e Kosovës. MASHT nuk ka marrë masa për sigurimin e ngrohjes”, ka thënë ajo.

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave dhe Transfereve ka paralajmëruar pezullimin e kontratave të punës të grevistëve, për aq kohë sa ata do të mbajnë grevë.

Enis Spahiu, zëvendës-sekretar në këtë Ministri, ka konfirmuar për KALLXO.com se paga e secilit grevist do të pezullohet për aq kohë sa qëndron në grevë e që rrjedhimisht ata nuk janë të detyruar të dalin në punë për aq kohë sa duan të qëndrojnë në grevë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) nga sot ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend. BSPK-ja ka thirrur grevën deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve nga Qeveria e Kosovës.

Në grevë tashmë kanë hyrë administrata komunale e institucione të tjera të vendit.

Rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, Plotësim- ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh në 2014-ën janë tri kërkesat e sindikalistëve.