BSPK: Kërcënimi i grevistëve akt i paligjshëm dhe aspak i mirë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) e ka quajtur paralajmërimin e qeverisë për pezullim të kontratave të grevistëve, akt të paligjshëm dhe aspak të mirë.

Përmes një komunikate për media kryetari i  BSPK-së Atdhe Hykolli ka potencuar se janë në grevë pa dëshirën e tyre por të detyruar nga mospërmbushja e premtimeve.

“Sot, e enjte, më 25 gusht 2022, duam të informojmë opinionin se tash më jemi në grevë të përgjithshme, dhe jemi në grevë pa dëshirën tonë por të detyruar nga premtimet dhe zvarritjet në përmbushjen e kërkesave të ligjshme dhe të arsyeshme, nga premtimet që nuk u përmbushën kurrë dhe nga zvarritjet e qëllimshme që prodhuan këtë – hyrjen në grevë” – shkruan BSPK.

Sipas tij, kërcënimi nga ana e qeverisë është akt antiligjor.

“Partneri ynë social – Qeveria po kërcënon grevistët dhe kjo është antiligjore se shkelet ligji për grevat, LIGJI Nr. 03/L-200, Neni 11, 13 dhe 18, e mbi të gjitha kjo nuk është aspak e mirë” – shtoi Hykolli.

“Të kërcënosh grevistët e qetë dhe në të drejtën e tyre është shkelje e normës dhe parimeve të shtetit demokratik e juridik dhe mbi të gjitha marrje e së drejtës për grevë – me fjalë të tjera është gabim shumë i madh” – potencoi më tej ai.

Sipas kryetarit të BSPK-së, Qeveria duhet të ulet në tavolinën e dialogut dhe të gjejë zgjidhjen e duhur.

“Partneri ynë Social – Qeveria duhet t’i jepet arsyes dhe të ulet në tavolinën e dialogut të sinqertë prej nga duhet të dalim me zgjidhjen e duhur, dhe zgjidhja e duhur është përmbushja e kërkesave të të punësuarve” – ka bërë të ditur kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli.

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave dhe Transfereve ka paralajmëruar pezullimin e kontratave të punës të grevistëve, për aq kohë sa ata do të mbajnë grevë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) nga sot ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend. BSPK-ja ka thirrur grevën deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve nga Qeveria e Kosovës.

Në grevë tashmë kanë hyrë administrata komunale e institucione të tjera të vendit.

Rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, Plotësim- ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh në 2014-ën janë tri kërkesat e sindikalistëve.

Ministria e Financave paralajmëron pezullimin e kontratave të të gjithë grevistëve