Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK dhe LVV premtojnë ndërtime të larta në periferi të Shtimes

Kandidatët për kryetar të Komunës së Shtimes nga radhët e LDK-së, LVV-së dhe PDK-së në Debat Pernime kanë folur rreth planeve të tyre për ndërtimet e larta.

LVV dhe LDK-në kanë në programe që ndërtimet e larta t’i bëjnë në periferi të qytetit dhe jo në qendër.

Kandidati i LVV-së për kryetar të Shtimes, Qemajl Aliu, tha se do të hapin zona të reja ndërtimi në periferi të Shtimes.

“Ne ndërtimeve të larta do t’u ikim në qendër dhe do të hapim zona të reja ndërtimi në periferi të Shtimes, në zonat e rrafshit është e projektuar nga fshati Davidovc dhe në drejtim të Ferizajt”, tha ai.

Kurse, kandidati nga LDK-ja për kryetar të Komunës së Shtimes, Bedri Zeqiri, tha se në qytet Shtimja është ngulfatur nga ndërtimet.

“Ndërtesat e larta do të jenë në periferi të Shtimes sepse është ngulfatur. Do të jenë në drejtim nga Lagjia e Pajtimit, Godanci dhe në drejtim të Ferizajt”, tha ai.

Ndërsa Naim Ismajli kandidat nga PDK-ja, tha se pjesa e ndërtimeve të larta do të lokalizohet pas shesheve.

“Pjesa e ndërtimeve të larta, jo në shesh pasi do të hapet, dhe në pjesën e brezit të parë menjëherë pas shesheve tutje tyre, e kemi ndërtimin e zonës së parë, të ndërtimit të lartë”, theksoi Ismajli. 

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë karrigen e të parit të Shtimes diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Shtimes: Bedri Zeqiri nga LDK; Naim Ismajli nga PDK dhe Qemajl Aliu nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Shtimes: Adelina Beqa-Limani nga PDK; Albana Fazliu dhe Vahide Rexhaj nga LDK; Shqipe Miftari nga LVV dhe Zejnie Veliu nga Lista Guxo.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.