Lajçak nesër në Kosovë, pritet nga zv.kryeministri Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nesër, më 05.03.2024, do të presë në takim emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas një komunikate për media, Bislimi dhe Lajçak pritet të diskutojnë për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes bazike për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pret në takim ditën e nesërme, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin do të diskutohet për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike”- thuhet në komunikatë.

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kishte qëndruar në Kosovë në fund të muajit janar dhe ishte takuar me me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi.

Më 31.01.2024 zëvendëskryeministri Bislimi deklaroi që gjatë takimit kishin folur për domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes bazike me aneksin zbatues, largimin e masave ndëshkuese për Kosovën dhe çështjen e rrymës në veri.

Qeveria e Kosovës më 30.01.2024 ishte deklaruar përmes një komunikate që në takim është folur për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe aneksit të saj dhe për zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore.

Në anën tjetër, Kosova dhe Serbia më 27.02.2023 në Bruksel ishin dakorduar për marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve që në publik njihej si Plani franko-gjerman, përderisa më 18.03.2023 në Ohër u dakorduan edhe për aneksin e zbatimit të saj.

Kjo marrëveshje, e njohur edhe si propozimi europian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.

Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Një vit nga dakordimi i Marrëveshjes Bazike në Bruksel, Bislimi fajëson Serbinë për moszbatimin e saj