Emisari i BE Mirosllav Lajçak dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti - Foto: Twitter

Lajçak: Draft-statuti i parë i Asociacionit, pjesë e agjendës së 2 majit

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se më 2 maj në Bruksel pjesë e agjendës në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, do të jetë edhe draft-statuti i parë i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajçak ka shkruar në Facebook, se mes tjerash agjenda do të përfshijë miratimin zyrtar të deklaratës për personat e zhdukur dhe çështjet aktuale.

“Me takimin e radhës të dialogut të nivelit të lartë që do të mbahet më 2 maj, kjo është një kohë e përgatitjeve intensive. Si takimi i parë i nivelit të lartë pas Ohrit, do të jetë një takim i rëndësishëm për zbatimin e Marrëveshjes dhe Aneksit të saj”.

Emisari i BE-së, ka shtuar se presin që të dyja palët të shkojnë në Bruksel të përgatitura mirë dhe plotësisht të përkushtuara në fazën e zbatimit.

“Agjenda do të përfshijë miratimin zyrtar të Deklaratës për Personat e Zhdukur, prezantimin e draft Statutit të parë të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë nga ekipi menaxhues dhe çështjet aktuale”- ka shkruar ai.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për ankesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian i njohur ndryshe si plani franko-gjerman.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Plani i Bashkimit Evropian është përkrahur nga Franca, Gjermania, Italia e SHBA-të, është diskutuar në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Përmbajtja e këtij plani është bërë publike tek më 27 shkurt të këtij viti.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila kërkohet më urgjencë si nga Serbia ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.