Ky është vendimi i Gjykatës për tre të dyshuarit për sulm ndaj Valon Sylës

Një muaj paraburgim i është shqiptuar si masë e sigurisë nga Gjykata e Prishtinës ndaj tre të dyshuarve për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla.

Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Nxitja e përçarjes dhe mos durimit.

Ata po dyshohen se kanë kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe përçarjes.

Të dyshuarit u sollën në objektin e Gjykatës Themelore 40 minuta para se të niste seanca e procedurës paraprake.

Seanca zgjati diku 1 orë ndërsa për tri orë të tjera ata qëndruan brenda sallës ku u mbajtë seanca për të vazhduar me procedurat e tjera ligjore.

Deri më tani zyrtarisht nuk ka informacion nga Gjykata Themelore nëse të tre të dyshuarve u është caktuar masa e njëjtë ajo që është kërkuar nga ana e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit për 1 muaj.

KALLXO.com ka siguruar dosjen penale tashmë që rëndon ndaj dy vëllezërve Okan dhe Kenan Hasani si dhe Lum Dervishit.

Prokurori special Afrim Shefkiu ka konsideruar se veprimet e të dyshuarve janë bërë me motive dhe ideologji ekstreme fetare.

Tre të dyshuarit sipas dosjes së prokurorisë, më 11 prill rreth orës 23:00 në kishin sulmuar gazetarin Valon Syla në afërsi të një lokali në lagjen “Bregu i Diellit”.

Syla kishte marrë trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve trupore të cilat iu shkaktuan.

Në dosje përmendet edhe fakti se deri te sulmi pretendohet se erdhi disa prej postimeve të gazetarit Syla ndaj një çështjeje fetare.

Prokurori Shefkiu në bazë të hetimeve të cilat i kanë kryer edhe hetuesit e Drejtorisë Kundër Terrorizmit, të dyshuarit e kanë përcjellë Sylën nga televizioni T7 ku ishte i ftuar e deri te lokali ku më pas edhe është sulmuar.

KALLXO.com raportoi në lidhje me rastin dhe arrestimin e të dyshuarve.

Të tre të rinjtë janë arrestuar gati 24 orë pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale.

Fillimisht rasti ishte cilësuar si lëndim i lehtë trupor ndërsa vepra është ri kualifikuar në nxitje të urrejtjes dhe përçarjes pas motiveve të cilat të dyshuarit pretendohen se kanë pasur.

Pas arrestimit të njëjtit janë intervistuar në prani të avokatëve të cilët ishin përcaktuar në bazë të detyrës zyrtare.

Ata kishin pranuar veprën penale në prani të hetuesve policorë.

Sot asnjëri nga ta nuk pranoi që të përgjigjej në pyetjet e KALLXO.com në lidhje me motivin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla.

KALLXO.com gjatë kohës sa të dyshuarit dolën nga gjykata tentoi të marrë përgjigje nga të tre të dyshuarit por asnjëri nuk dha asnjë koment.

Ata dolën nga gjykata ashtu siç hynë. Të prangosur, me kapela në kokë dhe nën masa të rrepta sigurie.