Protesta kundër Rregullores së BQK-së në Mitrovicë të Veriut, Foto: KALLXO.com - 12.02.2024

Përmbajtja e fletushkave që u shpërndanë në protestën e djeshme në Mitrovicën Veriore, policia nis hetimet për ‘nxitje të urrejtjes’

Qytetarë serbë kanë protestuar të hënën (12.02.2024) në Mitrovicën Veriore kundër vendimit të Bankës Qendrore për dinarin, monedha e Serbisë.

Kjo protestë u shfrytëzua për shpërndarjen e fletushkave. KALLXO.com mëson se këto fletushka u shpërndanë gjatë e pas protestës tek qytetarët që morën pjesë e të tjerë që ishin kalimtar të rastit.

Edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës u tha se persona të pa njohur nëpër hyrje të ndërtesave dhe rrugë të ndryshme kanë shpërndarë fletushka që lidhet me veprën penale “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, fetar, racor dhe etnik”.

Rasti u tha se është duke u hetuar.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e Policisë në rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani lidhur me këtë rast.

Ai ka thënë se pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë Themelore dhe atë Speciale është hapur rasti “thirrje për rezistencë dhe nxitje e urrejtjes”.

Elshani tregoi se nuk ka ende të dyshimtë e as të arrestuar lidhur me shpërndarjen e këtyre materialeve të dyshimta.

Rreth 1 mijë e 800 qytetarë kanë protestuar në Mitrovicën e Veriut kundër rregullores së BQK-së, ata po e cilësojnë këtë si sulm e diskriminim ndaj tyre.

Rregullorja përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin.

Protesta u thirr nga Shoqata e Pensionistëve, e u përkrah edhe nga të tjerët. Përfaqësuesja e pensionistëve tha se vendimi për dinarin serb “ia merr kafshatën e bukës”.

Vendet e QUINT-it dhe SHBA kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të shtyjë zbatimin e Rregullores së BQK-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të hiqet dorë nga vendimi, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi këtë vendim si “sulm” ndaj popullatës serbe në Kosovë.

Kurti: Nuk mund ta zhbëjmë vendimin për dinarin serb

Në anën tjetër, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili ka thënë se serbët lokalë mund të pranojnë çfarëdo lloje ndihme nga Serbia por që ato duhet të jenë në kanale zyrtare dhe të ligjshme e në euro.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), përmes një plani 10 pikësh, njoftoi të hënë (12.02.2024) se ka vendosur t’i ndërmarrë disa veprime shtesë me synim të lehtësimit të zbatimit të Rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara në Kosovë.

Ky plan, sipas BQK-së, pritet të realizohet në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare.

Plani 10 pikësh i BQK-së për zbatim të lehtësuar të Rregullores për operacione me para të gatshme