Kurti takon ambasadorin e ri amerikan, Jeffrey Hovenier, diskutojnë për dialogun

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e ri të ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Sipas komunikatës së dërguar për media, kryeministrit Kurti e ka njoftuar ambasadorin me reformat e ndërmarra nga Qeveria, për dy premtimet kryesore për punë dhe drejtësi.

“Ne e mbyllëm vitin 2021 me rritje ekonomike dyshifrore. Eksportet tona janë rritur me 66%, të hyrat buxhetore janë rritur për 30%, investimet e huaja direkte për 53% dhe kemi regjistruar 10.000 vende pune të reja në ekonomi vitin e kaluar”, citohet të ketë thënë kryeministri Kurti.

Kryeministri po ashtu ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidentin Joe Biden për dhurimin e mbi gjysmë milioni vaksina “Pfizer”.

”Ne mirëpresim dhe jemi të inkurajuar nga fakti që Presidenti Biden e ka shpallur korrupsionin një kërcënim të sigurisë kombëtare për ShBA-në, por edhe për demokracinë në mbarë botën”, thuhet në komunikatë.

Tutje në komuniktë bëhet e ditur se kryeministri Kurti ka folur edhe për dialogun me Serbinë, duke theksuar se kanë qenë proaktivë dhe konstruktivë, duke paraqitur propozime se si të ecet përpara.

“Ai tha se prioritet në dialog vazhdon të mbetet çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe hapja e arkivave shtetërore dhe ushtarake të Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, kryeministri dhe ambasadori Hovenier u pajtuan se njohja e ndërsjellë duhet të jetë në qendër të marrëveshjes së ardhshme, ligjërisht të obligueshme.

Tutje sipas njoftimit bëhet e ditur se ambasadori Hovenier e përgëzoi kryeministrin për progresin e deritanishëm në Republikën e Kosovës dhe nënvizoi mbështetjen e ShBA-së veçanërisht për zhvillim ekonomik, energji të qëndrueshme dhe arsim.

Ai e vlerësoi  menaxhimin e mirë dhe përgjigjen, siç tha, mbresëlënëse ndaj pandemisë.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çlirimin, pavarësinë  dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Diplomati i karrierës në Departamentin e Shtetit, Jeffrey M. Hovenier, sot ka pranuar detyrën e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë.

Jeff Hovenier merr detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë