Jeff Hovenier merr detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeff Hovenier ka marrë sot zyrtarisht detyrën e tij.

Presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar se ambasadori Hovenier, është shumë i afërt me vendin pasi ka punuar edhe më parë në Kosovë.

Që nga ajo kohë, Osmani thotë se shteti kosovar ka ndryshuar shumë, por sipas saj, me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qëndruar përherë konsistente.

“Është kënaqësi që të pres në Prishtinë një njeri si ambasadori Hovenier që është shumë i afërt me Republikën e Kosovës, sepse ka shërbyer këtu më herët dhe i kupton mirë dinamikat në vendin tonë”, tha fillimisht Osmani.

“Kosova është shumë ndryshe nga ajo që e kujton ambasadori. Sepse ka ecur përpara por një gjë ka qëndruar konsistente – partneriteti dhe marrëdhëniet me ShBA-të. Ne jemi rritur dhe zhvilluar si vend sepse jemi të bekuar të kemi ShBA-të pranë nesh në çdo hap”, tha nw mes tjerash presidentja Osmani.

Ndërkaq, ambasadori Hovenier u shpreh krenar për këtë rrugëtim të tij teksa përsëriti përkrahjen e ShBA-ve ndaj Kosovës.

“Ka ende punë për të bërë si në çdo vend tjetër. E ardhmja e Kosovës varet nga liderët e saj dhe aleatet dhe njerëzit e Kosovës janë në duar të sigurta. ShBA-të do të vazhdojnë përkushtimin, ne jemi miq, jemi në anën tuaj. E mbështesim zhvillimin e institucionit për sundim të ligjit dhe do të punojmë me ju për t’u ndihmuar në këtë drejtim. Do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në rrugën e saj euro-atlantike dhe ta ketë rolin e duhur në rajon në kontestin paqësor”, u shpreh ambasadori.

Jeffrey M. Hovenier ka shërbyer si zëvendësambasador i Shteteve të Bashkuata në Ankara të Turqisë.

Nga gushti 2018 deri në korrik 2019 ai ka qenë i ngarkuari me punë në atë ambasadë.

Më herët, ai ishte zëvendësshef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin të Gjermanisë.

Ai ka shërbyer gjithashtu në misionet e Shteteve të Bashkuara në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru; në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Ambasadori paraprak i ShBA-ve në Kosovë ka qenë Philip Kosnett.