Kryeministri Albin Kurti në takim me ministrin e Investimeve të Arabisë Saudite, Khalid Al-Falih. Foto: ZKM.

Kurti takohet në Zvicër me presidentin e Timorit Lindor, ministrin saudit të Investimeve dhe kryeministren finlandeze

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, i cili po mbahet në Davos të Zvicrës, ka zhvilluar disa takime.

Ai ka takuar presidentin e Timorit Lindor, José Manuel Ramos Horta, ministrin e Investimeve të Arabisë Saudite, Khalid Al-Falih, dhe kryeministren e Finlandës, Sanna Marin.

Në takim me presidentin e Timorit Lindor është theksuar marrëdhënia unike ndërmjet Kosovës dhe Timorit Lindor si dhe historia e ngjashme e sundimit të huaj në të dy shtetet.

“Kurti e falënderoi Presidentin Ramos Horta për mbështetjen e dhënë Republikës së Kosovës. U potencua nënshkrimi i marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, nënshkruar më 9 mars 2022 mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Demokratike të Timorit Lindor”- thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në këtë takim tutje u tha se dy nga shtetet më të reja në botë, që ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe demokracisë, Kosova dhe Timori Lindor, duhet të bashkëpunojnë më ngushtë në shkëmbimin e përvojave të shtetndërtimit dhe njohjes ndërkombëtare. ​

Ndërsa, në takim me ministrin e Investimeve të Arabisë Saudite, Al-Falih, Kurti foli për punën e Qeverisë dhe reformat e ndërmarra deri tani dhe planet për të ardhmen.

“Ai falënderoi Arabinë Saudite për mbështetjet që i ka dhënë Kosovës përgjatë viteve si në raportin bilateral ashtu edhe në forume multilaterale. Theks të veçantë patën temat e energjisë së ripërtëritshme, infrastrukturës dhe turizmit, dhe mundësitë që Kosova ofron për bizneset e huaja në këto sektore”- thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti ka takuar edhe kryeministren e Finlandës, Sanna Marin.

Duke e falënderuar për kontributin e Finlandës për Kosovën para dhe pas shpalljes së pavarësisë, kryeministri Kurti theksoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.

“Kryeministrja Marin shprehu mbështetjen për Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian” – thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Gjithashtu, në takim u bisedua për rritjen në 70 të numrit të ushtarëve finlandezë të KFOR-it.

“Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për reforma strukturore në ekonomi, politikë, sundim të ligjit dhe demokraci funksionale në përputhje me standardet evropiane, për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal’ – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar dje për në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.