Foto: ZKM

Kurti takohet me Javier Solanën, bisedojnë për situatën në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Madrid ka takuar ish–Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti me Solana kanë pasur një bisedë mbi gjendjen e Kosovës, të rajonit, por edhe të Evropës, përballë luftës ruse në Ukrainë.

“Pas privilegjit të një vizite me z. Javier Solana në muzeun kombëtar Museo Nacional del Prado, ku ai është Drejtor i Patronazhit të këtij muzeu me famë ndërkombëtare, kryeministri Kurti pati një bisedë të ngrohtë dhe të hapur mbi gjendjen e Kosovës, të rajonit, por edhe të Evropës, përballë luftës ruse në Ukrainë”- thuhet në njoftim.

Zyra e Kryeministrit bën të ditur se Kurti i ka shprehur mirënjohje Solanës për momentet përcaktuese për Kosovën, çlirimin në vitin 1999 dhe shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.

“Përvoja e z.Solana, si ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe ish-Përfaqësues i Lartë i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së  është e çmueshme për Republikën e Kosovës dhe e paharrueshme për popullin e Kosovës” – njofton ZKM.