Kryeministri në detyrë Albin Kurti, priti dy kongresistët amerikanë, Keith Self, dhe Suhas Subramanyam, Foto: ZKM

Kurti pret dy kongresistë amerikanë, diskutohen paqja dhe siguria në rajon

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim një delegacion të kongresistëve amerikanë, të përbërë nga Keith Self dhe Suhas Subramanyam.

Keith Self është kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve ndërsa Suhas Subramanyam, anëtar i Nënkomisionit për Çështje Ushtarake dhe të Jashtme.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit më 27.05.2026, në takim është diskutuar për çështje që lidhen me sigurinë, mbrojtjen dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kurti thuhet se falënderoi delegacionin amerikan për mbështetjen ndaj aspiratave të Kosovës për anëtarësim në NATO, duke përmendur në veçanti Rezolutat 1246 dhe 1250 të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, të cilat mbështesin integrimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike dhe vazhdimin e kontributit të forcave amerikane në kuadër të KFOR-it.

Sipas njoftimit, Kurti foli edhe për zhvillimin teknologjik në vend, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me SHBA-në, si dhe për reformat në arsim.

“Kryeministri në detyrë Kurti, vuri theksin edhe te përputhshmëria në politikën e jashtme. Po ashtu, ai diskutoi për investimet e Kosovës në mbrojtje dhe për tema të tjera, si zhvillimi i teknologjisë në vend, ku foli për rritjen e bashkëpunimit ekonomik në këtë fushë dhe në tregti në përgjithësi, si dhe për reformat në fushën e arsimit”- thuhet në komunikatën e lëshuar më 27.05.2026.

Me kongresitët amerikanë është takuar edhe Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Sipas Presidencës, u.d. Presidentja Haxhiu ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe të Kongresit Amerikan ndaj Kosovës, duke theksuar se për popullin e Kosovës kjo mbështetje ka pasur rëndësi historike, politike dhe njerëzore.

Delegacioni amerikan kishte vizituar një ditë më herët Luginën e Preshevës. Në këtë kontekst, kryeministri në detyrë Kurti tha se duhet të ketë të drejta të krahasueshme për pakicat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.