Kurti për William Walker: Dëshmitar dhe denoncues i Masakrës së Reçakut si krim kundër njerëzimit

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se ish-ambasadori William Walker kishte rolin unik si dëshmitar dhe denoncues i Masakrës së Reçakut, si krim kundër njerëzimit.

Ky deklarim i kryeministrit Kurti citohet nga Zyra e Kryeministrit se e ka thënë në Akademinë e “Flakës së Janarit” që u mbajt në Teatrin e Qytetit në Gjilan të shtunën, më 17.01.2026.

“Njerëzit tanë të vrarë e të rënë gjatë të kaluarës, historitë e angazhimit dhe fatit të tyre, janë nyje rreth të cilave rrotullohen dhe lidhen rrugëtimet tona të kujtesës dhe të kontributit për brezat pasues. I kujtojmë dhe i nderojmë të rënët, duke i mbajtur pranë njeri-tjetrin ne të gjallët. Andaj për këtë rast duhet të përkujtojmë rolin unik të ambasadorit William Walker, si dëshmitar dhe denoncues i Masakrës së Reçakut, si krim kundër njerëzimit.” – ka thënë Kurti, më 17.01.2026.

Kurti i është bashkangjitur edhe urimeve për shëndetin e gruas së Walker, e cila tha se për shkak të një problemi shëndetësor ndoshta edhe arrest kardiak është duke u trajtuar në emergjencë në Komunën e Vitisë dhe shpresoi në rikuperim të plotë dhe të shpejtë të saj.

“Po ishte pikërisht kjo deklaratë e ambasadorit Walker ajo që më 1999, ia bëri të qartë botës të vërtetën për krimet shtetërore të Serbisë në Kosovë. Kurse në kohën tonë, na takon ne ta gjurmojmë dhe ta studiojmë këtë masakër, në kontekstin politik e gjeopolitik, në kronologjinë e historisë më të re, duke i denoncuar urdhëdhënësit dhe ekzekutuesit e saj para drejtësisë dhe duke e lënë të rrëfyer dhe të shkruar historinë e Masakrës së Reçakut për të gjithë brezat dhe njerëzimin.” – ka theksuar Kurti.

Me këtë rast, Kurti ka theksuar se “Flaka e Janarit” fillimisht nisi si shënim i 10 vjetorit të vrasjes së tre veprimtarëve politikë dhe patriotëve të paepur Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të vrarë më 17.01.1982 në Gjermani. Ata dyshohet se u vranë nga shërbimi sekret jugosllav.

ZKM shton se rreth këtij festivali, u përbashkua kujtimi edhe për rënien e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, të vrarë nga policia jugosllave më 11.01.1984 në Prishtinë. 

“Edhe vetë thyerjet e traditës, janë pjesë e saj, sikur në vitin 1999, kur në edicionin e tetë të “Flakës së Janarit”, programi i këtij festivali u pat shkurtuar për shkak se më 15 janar 1999, forcat policore serbe kryen një masakër në fshatin Reçak të Shtimes, duke i vrarë 45 civilë të pambrojtur e të paarmatosur. 27 vite më vonë, akademia përkujtimore e “Flakës së Janarit”, i kushtohet Masakrës së Reçakut, përkujtimit dhe nderimit të viktimave dhe dëshmorëve, të rënë atje, në luftën e drejtë të popullit tonë për çlirimin e Kosovës nga Serbia armike, okupatore dhe shtypëse.”- ka thënë Kurti.

Manifestimi mbarëkombëtar kulturor, “Flaka e Janarit 2026” ka nisur të dielën, më 11 janar 2026, me homazhet tek kompleksi i varrezave të dëshmorëve në Gjilan dhe me aktivitete tjera që kulmuan me ndezjen e flakadanit në mbrëmje.

Manifestimi “Flaka e Janarit” mbahet në kujtim të heronjve të Kosovës dhe fillimi i tij përkon me përvjetorin e vrasjes së heronjve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, më  11 janar 1984, gjatë një përleshje me forcat serbe në Prishtinë.

Manifestimi “Flaka e Janarit” organizohet nga Komuna e Gjilanit.

Edicioni i 35-të i “Flakës së Janarit” mbyllet me Gala mbrëmje që mbahet më 31 janar 2026, kur edhe do të ndahen çmimet e festivalit.

Në anën tjetër, për nder të viktimave në Masakrën e Reçakut, në Kosovë 15 janari i vitit 2026 si çdo vit tjetër u shënua me homazhe e akademi përkujtimore. Homazhe nga presidentja Vjosa Osmani, Dimal Basha, kryetari i Kuvendit të Kosovës, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe liderët e partive tjera politike.

Ndryshe prej përvjetorëve të parë, kësaj radhe ka një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) për krimet që u kryen në Reçak.

Një muaj më parë, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave për veprën penale – krim i luftës kundër popullsisë civile.

Të pandehurit O.S., R.M., K.J., G.R., Ž.T., B.J., M.L., R.M., D.DJ., B.M., D.J., M.Š., D.A., S.V., B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Č.A. dhe Z.J. akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore serbe, më 15 janar 1999, në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, kanë vrarë 42 civilë.

“Në periudhën 1998 – 1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës ‘’243 të Mekanizuar ’’, Armatës së III- të, e njohur si ‘’Korpusi i Prishtinës’’, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”- thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzë sqarohet se të pandehurit fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga vendet e quajtura ‘’Pishat“, ‘’Gështenjat“ dhe ‘’Çesta“.

E më pas, nga distanca e granatuan fshatin me mjetet ushtarake, kontrolluan shtëpi më shtëpi dhe ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, ku i detyruan të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan.

“Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta. Rreth 20.000 civilë të fshatrave Reçak, Topillë, Petrovë, Kraishtë, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre”- theksohet më tej në komunikatë.

PSRK i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, meqenëse të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.

Ish-ambasadori, William Walker, e kishte parë nga afër krimin e kryer mbi civilët shqiptarë dhe ka pasur rol kyç për dokumentimin e Masakrës së Reçakut.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.