Kurti në takimin lamtumirës me ambasadorin Gudjev: Do të na mungojë dhe jam i sigurt se do t’i mungojë Kosova
Ambasadori i Bullgarisë, Hristo Gudjev, ka përfunduar mandatin e tij në Kosovë. Në pritjen lamtumirëse të tij mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Gudjevin, Kurti e quajti përfaqësues të përkushtuar në përfaqësimin e Bullgarisë si “një vend që është jo vetëm mik i sinqertë, por edhe partner strategjik i Republikës së Kosovës”.
“Gjatë viteve që kemi punuar së bashku, me përkushtimin tuaj, kemi arritur të avancojmë dhe thellojmë marrëdhëniet dypalëshe mes dy shteteve tona”- ka deklaruar Kurti.
Gjatë mandatit të Gudjevit si ambasador në Kosovë, janë realizuar pesë vizita të zyrtarëve bullgarë, përfshirë presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, si dhe janë organizuar 21 vizita të zyrtarëve të Kosovës në Bullgari, përfshirë këtu takimin e kryeministrit Kurti me kryeministrin e Bullgarisë, Dimitar Glavchev dhe Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, shkruan në komunikatën e Kryeministrisë.
Kurti gjatë kësaj pritjeje lamtumirëse, ka thënë se Bullgaria ka qenë avokuese për Kosovën sa herë që i është kërkuar.
“Ambasadori Gudjev po përfundon misionin e tij diplomatik, por miqtë që ai ka bërë këtu do të zgjasin përjetë. Do të na mungojë dhe jam i sigurt se do t’i mungojë edhe Kosova”- ka theksuar Kurti.
Bullgaria ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran më 20 mars 2008.
Më 18 janar 2010 ishte hapur Ambasada e Kosovës në Sofje.