Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ish-ambasadori William Walker. Foto: Zyra e Kryeministrit

Kurti e Walker flasin për zhvillimet e fundit në Kosovë

Në një “takim miqësor”, cilësuar nga Zyra e Kryeministrit, e ka pritur kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ish-shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së William Walker.

Walker po shoqërohej nga bashkëshortja e tij.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se së bashku biseduan për zhvillimet e fundit në vend, rezultatet e Zgjedhjeve, punën e institucioneve dhe sfidat e vendit dhe të rajonit. 

“Kryeministri u shpreh si gjithmonë i lumtur që ta takojë e të bashkëbisedojë me ambasadorin Walker, të cilin e falënderoi për rolin e tij historik për popullin tonë dhe angazhimin e vazhdueshëm në mbështetje të së vërtetës dhe drejtësisë.” – njofton ZKM.

Walker njihet për kontributin e tij në Kosovë në dokumentimin e Masakrës së Reçakut, në Shtime më 1999, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë. 

Tmerrin që pa me sytë e tij në tokën e Reçakut, më 15.01.1999, Walker i ka vendosur në faqe libri që dokumenton një nga masakrat më të përgjakshme nga lufta e fundit në Kosovë, të titulluar “Reçak: Historia e një krimi lufte”.