Kurti e Gërvalla ua përkujtojnë ambasadorëve sfidat për "afirmimin dhe mbrojtjen" e vendit

Nga data 11, deri më 13 gusht në Prishtinë po mbahet Konferenca e 8-të e Ambasadorëve të Kosovës, të cilët shërbejnë në vende të cilat e kanë njohur pavarësinë e shtetit më të ri në Europë.

Në pjesën hyrëse e cila nisi me vonesë për shkak se kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla nuk ishin të pranishëm me kohë në sallë, u mbajtën fjalime për rolin që kanë ambasadorët e Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti theksoi se në qeverisjen e tij, Kosova ka më së shumti misione diplomatike të shtrira në botë.

“Është nder dhe kënaqësi te u adresohem ne këtë konferencë. Kjo na kujton se MPJD është i vetmi dikaster që i ka 53 degë të shpërndara në të gjitha kontinentet-përveç Antarktikut. Kjo është shpërndarja më e gjerë në historinë tonë e që është edhe avantazh edhe sfidë. Avantazhi është se i kemi 53 zëra nëpër botë, por sfidë është fakti se si këta zëra të jenë në harmoni e të sinkronizuara edhe mes vete edhe me Prishtinën.” – tha Kurti.

Ai shtoi se roli i diplomatëve në botë nuk është vetëm afirmimi i vendit, por edhe ta mbrojnë atë.

“Lufta ilegale e pajustifikueshme e Rusisë në Ukrainë ka hyrë në vitin e 4-të dhe përpjekjet e Serbisë vazhdojnë të paraqesin rrezik për sigurinë tonë kombëtare. Lufta propagandistike e Serbisë me Rusinë po bëhet me egër. Duke marrë parasysh këtë sfidë, veprimtaria e juaj është jetike si për mbrojte dhe afirmimin e vendit tonë. Ne e dimë se detyra e juaj nuk është e lehtë duke qenë larg shtëpisë, andaj për të gjitha këto sakrifica dhe çdo ditë punë të palodhshme, ne u jemi përherë falënderues.” – shtoi Kurti.

Ndërkaq, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla u shpreh se “ky është takimi ku përmblidhet puna e bërë dhe përcaktohen hapat për vitin e ardhshëm”.

“MPJD ka kaluar një reformë thelbësore duke vendosur standarde te transparencës. Sot çdo euro e buxhetit përdoret me plan të qartë dhe kontroll … Gjatë këtij viti kemi arritur edhe dy njohje të reja të shtetësisë se Kosovës. Kemi konsideruar anëtarësimin në një numër të konsiderueshem në organizata ndërkombëtare”, ka deklaruar ajo.

Nga konferenca e fundit në këtë konference, sipas saj, rezultatet janë te prekshme.

“Shërbimet tona konsullore janë përmirësuar dukshëm. Mërgata mbetet një nga asetet me te çmuara te vendit.”- tha Gërvalla.

Ajo shtoi se në aspektin ndërkombëtar, sfidë e madhe mbetet çështja me Serbinë.

“Situata gjeopolitike sot është komplekse. Po jetojmë në kohë tensioni ndërkombëtar. Kosova është pjesë e kampit të demokracisë dhe kjo na kërkon të jemi të unifikuar. Serbia jo vetëm që refuzon ta njoh shtetin tonë, por organizon fushata kundër saj dhe financon organizata kriminale në vendin tonë. Si shtet ligjor ne i kundërvihemi me vendosmëri.”- theksoi Gërvalla.

Ndonëse në agjendë, në hapje të kësaj konference figuronte edhe emri i Presidentes Vjosa Osmani, ajo nuk mori pjesë. Arsyet nuk u bën të ditura, teksa Zyra e Presidencës nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.

Pas fjalimeve hyrëse pasoi edhe një fotografi e përbashkët, teksa punimet e Konferencës së 8-të të Ambasadorëve, vazhduan në sesione të mbyllura.

Prezent në hapjen e konferencës, ishin edhe përfaqësues nga Lugina e Preshevës.

Me organizimin e kësaj konference, Ambasadorët e Kosovës, të cilët shërbejnë në vendet që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, kthehen në atdhe për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme diplomatike.

Kjo konferencë po organizohet në kohën kur Kosova nuk ka formuar ende institucionet, por është me Qeveri në detyrë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës  (MPJD) tha për KALLXO.com se Konferenca e Ambasadorëve është e përvitshme.

Sipas Ministrisë përkatëse, kjo Konferencë është përcaktuar në Rregulloren nr. 01/2022 për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës së MPJD-së dhe rrjedhimisht është pjesë e Planit Vjetor të Punës për vitin 2025.

Sipas Rregullores së Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kjo konferencë është e përvitshme.

“Konferenca e Ambasadorëve është praktikë e konsoliduar vjetore e ministrive të jashtme dhe zbatohet edhe nga MPJD-ja, për të vlerësuar punën e misioneve tona diplomatike dhe për të planifikuar prioritetet dhe objektivat për vitin e ardhshëm”- shkruan në përgjigjen e MPJD-së.

Ministria tha për KALLXO.com se në këtë konferencë, ambasadorët e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me kolegët e tyre në MPJD dhe aktorët kryesorë qeveritarë, diskutojnë dhe trajtojnë çështjet më të rëndësishme të politikës së jashtme të Kosovës, sfidat aktuale diplomatike dhe mundësitë për avancimin e pozitës ndërkombëtare të vendit tonë.

Po ashtu, sipas Ministrisë gjatë konferencës, shefat e misioneve diplomatike do të kenë mundësinë të takohen me përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me qëllim që misionet diplomatike të njoftohen drejtpërdrejt mbi procedurat për votim nga jashtë Kosovës në Zgjedhjet Lokale 2025, “gjë e cila mundëson ofrimin e informacioneve sa më të sakta dhe të drejta lidhur me këtë proces për qytetarët tanë jashtë vendit”