Kryetari i Zveçanit viziton Banjskën - FOTO

Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci ka vizituar zyrtarët policorë të cilët janë duke ofruar siguri në Banjskë të Zveçanit, në fshatin ku më 24 shtator u krye një sulm terrorist ndaj Policisë së Kosovës, e u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

“Sot, vizitova Policinë e Kosovës që ndodhet në fshatin Banjësk, afër Manastirit. U shpreha mirënjohje dhe falënderim për punën, njëherazi për sigurinë që po e ofrojnë për të gjithë qytetarët e Zveçanit” – shkroi ai në Facebook. 

Peci tutje shprehi mirënjohje dhe respekt për Policinë e Kosovës. 

Mëngjesi i 24 shtatorit zbardhi në Banjskë me një sulm terrorsit që u krye, e që la të vrarë një pjestarë të policisë, rreshterin Afrim Bunjaku. 

Që nga ajo ditë, zyrtarë policorë janë duke vazhduar të monitorojnë situatën në këtë zonë e madje edhe janë duke i vazhduar hetimet policore me qëllim të zbardhjes së sa më shumë detajeve e gjetjes së dëshmive të tjera për këtë rast. 

Në pjesën ku u sulmua policia e edhe në zonën afër Manastrit të Banjskës ditët e para qëndruan Njësitë Speciale Operative, e këto njësi pas qetësimit të situatës dhe uljes së rrezikshmërisë tash e tri ditë janë zëvendësuar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë. 

Përgjegjësinë për sulmin terrorist që ndodhi në këtë fshat e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq. 

Ai bashkë me pjestarë të tjerë të grupit pas sulmit që kryen ikën në drejtim të Serbisë. 

Sipas autoriteteve të Kosovës, ky grup ka më shumë se 90 pjesëtarë, ku sipas policisë deri më tani janë identifikuar më shumë se 30 prej tyre. 

Radoiçiq u ndalua nga organet e drejtësisë në Serbi. Prokuroria e Lartë në Beograd kërkoi nga ana e gjykatës që ndaj tij të vendoset masa e paraburgimit. 

Mirëpo, diçka e tillë nuk ndodhi. Gjykata në Beograd e liroi atë nga ndalimi e ndaj tij mori disa vendime, përfshirë këtu edhe ndalimin për të hyrë në Kosovë.

Nga veprimet hetimore që u kryen nga PK u gjet një arsenal i madh armatimi në zonën e Banjskës. 

Ilir Peci viziton Banjskën. Foto: Ilir Peci/Facebook
Ilir Peci viziton Banjskën. Foto: Ilir Peci/Facebook
Ilir Peci viziton Banjskën. Foto: Ilir Peci/Facebook