Takimi Kurti- Lahbib. Foto: ZKM.

Kryeministri Kurti takon ministren e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Hadja Lahbib

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka prit sot në takim ministren e Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane, Tregtisë së Jashtme të Belgjikës, Hadja Lahbib, me të cilën ndër të tjera ka biseduar edhe për rrugëtimin e Kosovës.

Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi bë të ditur se duke i uruar mirëseardhje, kryeministri Kurti, i ka kujtuar kryediplomates Lahbib kontributin që ka dhënë shteti belg për Kosovës, duke kulmuar me hapjen e ambasadës në Prishtinë.

“15 vjet pas njohjes nga Belgjika dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, sot u bë edhe përurimi i ngritjes së përfaqësimit diplomatik të Belgjikës në Kosovë në nivel Ambasade, në një ceremoni ku e pranishme ishte zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Hapja e Ambasadës së Belgjikës në Kosovë është manifestim i marrëdhënieve të shkëlqyeshme dypalëshe, potencialit dhe vullnetit të dyanshëm për thellim të raporteve” – thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Gjatë këtij takimi, sipas ZKM-së, u diskutuan rreth mundësive të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, tregtisë, mbrojtjes e kulturës, krahas atij politik. Një tjetër çështje që u diskutua në takimin e kryeministrit Kurti me Hadja Lahbib është edhe rrugëtimi i Kosovës drejt integrimeve euro-perëndimore, me që nga 1 janari 2024, Belgjika merr kryesine BE-së.

“Kosova ka dorëzuar aplikimin e saj për anëtarësim më 15 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është në pritje që të marrë statusin e vendit kandidat” – citohet të ketë thënë Kurti gjatë takimit.

Në takim u fol edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe për raportet e Kosovës dhe Serbisë në dritën e sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit sot dy muaj më parë dhe takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel.

“Kryeministri Kurti e njoftoi ministren belge Lahbib për angazhimin dhe qasjen konstruktive që Kosova ka pasur përgjatë procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për qëndrimin e Kosovës në takimin e fundit në Bruksel në të njëjtën ditë kur po zhvillohej edhe Samiti i Këshillit Evropian”-thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Kurti siguroi kryediplomates belge se Kosovës mbetet e përkushtuar për zbatim të plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj, dhe se nënshkrimi i tyre është garanti i respektimit dhe zbatimit të tyre drejt një normalizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.