Faik Hoti, Anëtari i Komisionit për Frytnim të Asistuar Mjekësor

Krahasimi Suedi - Kosovë, zëdhënësi i Ministrisë mbron masat e vendosura kundër COVID-19

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka bërë një analizë të Kosovës dhe Suedisë në lidhje me masat e vendosura për të luftuar coronavirusin në Kosovë.

Ai ka mbrojtur masat e vendosura nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, duke treguar edhe arsyen dhe duke bërë krahasimin me shtetin suedez.

Hoti shtoi se kushtet e jetesës në Suedi dhe në Kosovë dallojnë shumë.

Më poshtë lexoni njoftimin e plotë të Zëdhënësit Hoti:

Sistemi shëndetësor i Suedisë është në mesin e sistemeve shëndetësore më të zhvilluara në botë.

Suedia renditet në mesin e pesë vendeve të para në botë për sa i përket vdekshmërisë së ulët të foshnjave.

Është një nga shtetet me mirëqenien më të lartë në botë, me investime të larta në këtë fushë dhe me një sistem arsimor në nivel gati të së përkryeres.

Deri tash ka aplikuar një qasje të lirë sa i përket menaxhimit të pandemisë Covid-19, duke mos vënë kufizime në lëvizjen e njerëzve sikur shumica e shteteve të tjera.

I ka 10.333 456 banorë. Deri tash i ka 1580 të vdekur, 40 veç sot. Apo, 153 të vdekur në 1 milionë banorë.

Kosova, në anën tjetër, ka një sistem shëndetësor që me asgjë nuk mund të krahasohet me atë të Suedisë, ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë perinatale të foshnjave në Evropë, një nënfinancim të skajshëm, derisa në situatë të ngjashme janë edhe sistem social dhe ai arsimor.

Në Suedi në 1 km katror jetojnë vetëm 23 banorë, në Kosovë 159.

Nuk është e njëjtë që në kushtet e një “bashkëjetese” me një virus që në një hapësire të njëjtë të jetojnë si 23 si 159 veta.

Kosova, tash për tash, qëndron më mirë se Suedia sa i përket Covid 19 vetëm sa i përket numrit të vdekurve në 1 milionë banorë (6.6 të vdekur në 1 milion banorë në Kosovë) që mund të lidhet deri diku me popullsinë shumë më të re se që e ka Suedia.

Bazuar në këto të dhëna, kemi të bëjmë me dy shtete që nuk ngjasojnë me asgjë, përveç me dy ngjyra të përbashkëta të flamurit.