Kosova 'mollë sherri' në Kuvendin e Shqipërisë

Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që interpelancat e kërkuara dhe rezolutat e propozuara për sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës do të trajtohen në një seancë të dedikuar në 12 tetor, njoftoi kryeparlamentarja e Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Por, opozita kundërshton me ngulm këtë vendim dhe kërkon që çështja e Kosovës të futet me urgjencë në Kuvend. Deputetët demokratë i kanë përqendruar kritikat e tyre te një intervistë e kryeministrit Rama për “The Financial Times”, ku sipas tyre, kreu i qeverisë “e cilësoi veriun e Kosovës, tokë të askujt”.

“Është e turpshme kjo që po bëni sot, për të hequr vëmendjen nga çështjen e Kosovës. Kosova ka folur në mënyrë urgjente për problemet e saj. Është mbledhur Parlamenti Europian, ka folur BE, ka folur SHBA” – tha deputeti i PD, Luan Baçi.

“Po Shqipëria çfarë ka bërë? Ka thënë që veriun e Kosovës ta marrë në dorë KFOR-i, ashtu sikurse do Vuçiq? Shqipëria po bën lloqe në parlament, sipas skenarëve të mazhorancës. Nëse nuk e mblidhni sot, nuk ka asnjë arsye të mos mblidhemi nesër dhe të miratojmë rezolutën që ka miratuar edhe parlamenti i Kosovës”.

Ndërsa deputeti tjetër i PD, Ramadan Likaj, tha se situata që po kalon Kosova, kërkon që kryeministri Edi Rama të ishte prezent në Kuvend.

“Situata që po kalon Kosova kërkon që sot të ishte këtu kryeministri. Vazhdon ta injorojë parlamentin. Kemi tre muaj që nuk e shohim. Deklaratat që ka bërë nëpër Europë për Kosovës janë të rënda. Deklarata e djeshme që veriu i Kosovës nuk është tokë e askujt është skandaloze. Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës, për të janë vrarë mijëra fëmijë. Duhet të dënojmë sulmin që bënë serbët, me qëllim aneksimin e Kosovës” – tha Likaj.

Në një intervistë për prestigjozen britanike “The Financial Times” pas tensioneve në veri, ku forcat paramilitare serbe vranë një efektiv shqiptar dhe më pas morën peng Manastirin e Banjskës, ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit me autoritetet ligjzbatuese mbetën të vdekur 3 terroristë, Rama e konsideroi Kosovën një pikë të nxehtë.

“Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”.

Për këtë deklaratë, ka reaguar gazetari i “The Financial Times”, që ka sqaruar se pohimi i kryeministri Edi Rama se “veriu i Kosovës është tokë e askujt” është keqkuptuar.

Në mëngjesin e 24 shtatorit 2023, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua pas një sulmi nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit. Organet e rendit zyrtarisht kanë konfirmuar se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se njëri nga të vrarët ka qenë Bojan Mijailoviq, truproja e shefit të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë e njohur si BIA serbe, Aleksandar Vulin.

Prokuroria Speciale e kishte konfirmuar se të dyshuarit do të hetohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Më 27 shtator 2023, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq është në Serbi, por nuk është i plagosur.

Më 29 shtator 2023, përmes një letre të cilën e ka lexuar avokati i Radoiçiq, Goran Petronijeviq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

“Unë personalisht kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për të mbrojtur popullin tonë nga okupatori. Unë kam marrë vendim të bëj këtë akt të them se Kosova është vendi im, shtëpia ime, pjesë përbërëse e shtetit tim, Republikës së Serbisë, po merret me dhunë ndërsa populli serb dëbohet me qëllim përfundimtar që Kosova të pastrohet tërësisht nga populli serb” – thuhet në letrën e Radoiçiq/TopChannel/.