
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL
Vuçiq: Radoiçiq nuk është i plagosur, do të merret në pyetje
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq është në Serbi, por nuk është i plagosur.
Ai për televizionin shtetëror serb (RTS) tha se Radoiçiq do të merret në pyetje.
“Asnjëherë nuk e ka fshehur rolin e vet, ai gjendet në territorin e Serbisë qendrore, nuk është i plagosur dhe do të merret në pyetje. Ai është një person që e konsideron veten luftëtar i lirisë, mirëpo janë disa pyetje të cilave ai duhet t’u përgjigjet”- ka deklaruar ai.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje në të cilat shihet nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, në mesin e grupit terrorist, që sulmoi Policinë e Kosovës të dielën e 24 shtatorit.
Ministri Sveçla ka thënë se Radoiçiq ka qenë udhëheqës i grupit terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Millan Radoiçiq, nënkryetar i partisë Lista Serbe, aktualisht besohet se gjendet në kryeqytetin serb, Beograd, duke u shëruar pasi dyshohet se është plagosur gjatë sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës, të dielën, më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit.
Kush është Millan Radoiçiq, lideri “nën hije” i serbëve të Kosovës?