Prokuroria Speciale jep bilancin e të arrestuarve dhe armëve që u konfiskuan sot në Banjskë

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se janë ndaluar gjashtë persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Me aktvendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale, të ndaluarit dërgohen në mbajtje për 48 orë.

Po ashtu, nga aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës, thuhet se janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të  armatimit të llojeve të ndryshme.

Sipas Prokurorisë, ata po dyshohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, ’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Zhvillimet pas vrasjes së policit të Kosovës në veri të vendit