Kontrollohet "Mobile shop"-i i bllombuar dje, sekuestrohen 126 telefona të mençur

Policia dhe inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë vazhduar sot operacionin që kishin zhvilluar dje në 30 dyqane që shesin telefona mobilë.

Policia ka njoftuar se sot është kontrolluar një “Mobile shop” në Prishtinë, i cili ishte bllombuar dje.

Aksioni i kontrollimit është ndërmarrë nën dyshimet për kontrabandë dhe shmangie tatimi.

“Një biznes i njohur për hetuesit në momentin e fillimit të kontrollit e deri në përfundim nuk ka qenë i hapur, andaj i njëjti në konsultim me Prokuroren e rastit e në koordinim me Inspektorët nga MINT është bllombuar, të mos ketë qasje askush në të” – thuhet në komunikatën e Policisë.

Sot, pasi që është lajmëruar pronari i biznesit në fjalë, sipas njoftimit të Policisë, policët dhe inspektorët kanë shkuar në lokacionin në fjalë.

Rreth orës 9:30 është hapur lokali dhe në prezencën e pronarit është bërë kontrollimi i tij.

Ky kontroll ka rezultuar me sekuestrimin e 126 telefonave të mençur, prej të cilëve 67 dyshohet se kanë hyrë në Kosovë duke iu shmangur taksave dhe tarifave doganore e procedurave të tjera të rregullta.

Policia thotë se 59 telefonat e tjerë janë sekuestruar pasi që edhe pse pronari i biznesit ka ofruar dëshmi mbi prejardhjen, ato nuk kanë qenë bindëse për inspektorët dhe janë sekuestruar për t’u verifikuar në detaje.

“Mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi se i dyshuari (pronari i biznesit të kontrolluar), dyshohet se ka kryer veprat penale: Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”, “Kontrabandimi i mallrave” dhe “Shmangia nga tatimi”” – njofton Policia e Kosovës.

Prokurorja e rastit ka kërkuar që rasti të vazhdojë në procedurë të rregullt dhe i dyshuari të lirohet.

Ky kontroll është realizuar me urdhër kontrolli të lëshuar nga Gjykata e Prishtinës.