Konsullata e Kosovës në Strasburg organizoi pritje me rastin e votimit në Asamblenë Parlamentare

Mbrëmë më 16.04.2024 Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strasburg ka organizuar pritje pas votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja e ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ambasadori i Kosovës në Strasburg dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti ishin pjesë e kësaj pritje.

Ata falënderuan miqtë e Kosovës për përkrahjen edhe angazhimin e tyre.

“Dua të falënderoj anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i qëndruan besnikë parimeve të kësaj organizate dhe që votuan sot në favor të anëtarësimit tonë” – tha mes të tjerave kryeministri Kurti në këtë pritje në Strasburg.

Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një hap që të bëhet anëtare e Këshillit të Europës (KE).

Në Asamblenë Parlamentare më 16.04.2024, Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar, raportoi gazetarja e KALLXO.com që ndodhet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Këta delegatë kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KE.

Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.Votimi i sotëm i hap rrugën votimit përfundimtar nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.

Kosova ka aplikuar më 12.05.2022 për anëtarësim në Këshillin e Europës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla.

Kosova triumfon drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës