Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sa ligje po shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese?

Pesë ligje të miratuara në Kuvend të Kosovës janë duke u shqyrtuar aktualisht në Gjykatën Kushtetuese. Ligjet janë dërguar në Gjykatë pas pretendimeve që të njëjtit janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Ligji për Paga në sektorin publik, Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligji për zyrtarët publikë dhe Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, janë ligjet që po i shqyrton Kushtetuesja.

Përveç këtyre, kjo gjykatë po shqyrton edhe disa nene të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë detaje se kur pritet të merret vendim për këto ligje.

“Këto kërkesa janë ende duke u shqyrtuar nga Gjykata dhe sapo të merren vendimet për këtë do të njoftohen të gjitha palët parashtruese dhe opinioni” – thuhet në përgjigje.

Kujtojmë se Gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar kushtetues-ligjor për vendimmarrje në këto raste.

Sipas përgjigjes për KALLXO.com, tri prej këtyre ligjeve janë dërguar në Kushtetuese nga partitë opozitare, PDK dhe LDK, njëri ligj është dërguar nga Avokati Popullit dhe një tjetër nga Gjykata Supreme.

I fundit që u kontestua në Kushtetuese është Ligji për Pagat në Sektorin Publik i dërguar nga Avokati i Popullit më 7 prill 2023.

Avokati i Popullit kishte njoftuar që prej hyrjes në fuqi me 5 shkurt e deri në prill, për këtë ligj kishte pranuar 104 ankesa.

Sipas njoftimit, ligji përmban disa nene dhe paragrafë nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe as me frymën e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili duket se është shpërfillur me rastin e hartimit të Ligjit të kontestuar.

Ndërsa, më 21 shkurt 2023, Partia Demokratike e Kosovës kishte dërguar në Kushtetuese Ligjin për Byronë Shtetërore për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme në Gjykatën Kushtetuese.

“Jemi të bindur se pushteti do të marrë një leksion të fuqishëm nga Gjykata Kushtetuese, duke anuluar në tërësi këtë ligj, duke e shpallë të pavlefshëm dhe jo kushtetues në raport me shumë segmente kushtetuese, veçanërisht me garancionet kushtetuese të te Drejtave të Njeriut”- tha avokati i grupit parlamentar të PDK-së, Faton Fetahu.

Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme u miratua në fillim të shkurtit. Me miratimin e këtij ligji krijohet mekanizmi për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme pa pasur nevojë për një dosje penale që ka përfunduar me një dënim nga gjykata.

Ligji përfshin një shtrirje me të gjerë për shkak se verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, pra personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Të njëjtin fat e pati edhe Ligji për zyrtarët publikë, i cili një javë pas miratimit, më 31 dhjetor 2022, u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga 11 deputetë të PDK-s e 10 deputetë të LDK-së.

Në përgjigjen e Gjykatës për KALLXO.com, thuhet se këto dy kërkesa janë bashkuar dhe po trajtohen si të tilla.

Edhe në nëntor te vitit 2022, Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg u dërgua në Kushtetuese nga deputetët e LDK-së.

Sipas deputetit të LDK-së, Driton Selemanaj në tërësinë e vet ky Projektligj është antikushtetues.

“Ne nuk e kundërshtojmë në nene të caktuara, por në tërësinë e vet, sepse jemi të bindur që kjo iniciativë paraqet një ndërhyrje arbitrare në parimet dhe vlerat të ekonomisë së lirë të tregut. Ne i kemi adresuar tri nene të Kushtetutës që kjo nismë legjislative e cenon rëndë Kushtetutën e Kosovës, është neni 7; neni 10 dhe neni 119” – ka thënë Selmanaj.

Ndërsa, më 24 mars 2023, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, të ushtruar nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së, vitin e shkuar.