Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com
Pezullohen procedurat për procedim të mëtejmë të Ligjit për Zyrtarët Publikë
Procedurat për procedim të mëtejmë të ligjit për Zyrtarët Publikë janë pezulluar.
Kështu ka bërë të ditur Drejtoria për Media e Kuvendit të Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com.
“Ju konfirmojmë se Kuvendi ka pranuar shkresën nga Gjykata Kushtetuese në periudhën midis dy sesioneve, pra në kohën sa është në pushim. Për dijeni, procedurat për procedim të mëtejmë të ligjit të përmendur, janë pezulluar”- është thënë në përgjigje.
Kuvendi thotë se sesioni pranveror do të nisë më 16 janar 2023 dhe shkresa e Gjykatës Kushtetuese do të ju shpërndahet deputetëve për komente eventuale.
Afati i përgjigjeve sipas shkresës është 23 janari 2023.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, ligji që kontestohet në Kushtetuese nga dhjetë ose më shumë deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk mund të dekretohet, të hyjë në fuqi ose të prodhojë efekte ligjore deri në vendimin final të Gjykatës lidhur me çështjen e ngritur pranë saj.
Ky ligj u miratua para një jave në Kuvendin e Kosovës ku mori shumicën e votave të deputetëve në lexim të dytë.
Partia më e madhe opozitare në Kuvend, nuk ka marrë pjesë në votimin e dytë të këtij ligji. As LDK dhe AAK nuk kanë marrë pjesë në votim.
Deputetët opozitarë janë deklaruar kundër disa neneve të këtij ligji.
Pas miratimit të Ligjit për zyrtarët publikë Bashkimi Evropian ka reaguar duke thënë Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar Ligjin për zyrtarët publikë në Gjykatën Kushtetuese, në fund të dhjetorit 2022.
Kjo parti ka paraqitur kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë në katër nene të këtij ligji.
Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku kishte thënë se sipas tyre Kushtetuesja ka bazë të mirëfilltë të shfuqizojë këtë ligj.
“Kemi ardhur në Gjykatën Kushtetuese për të paraqitur kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë në Ligjin për zyrtarët publikë. Ne mendojmë që kanë bërë një shkelje të radhës së Kushtetutës. Kemi menduar që në katër pika të shkeljes së këtij ligji ti paraqesim kërkesën Gjykatës Kushtetuese. Mendojmë që ka bazë të mirëfilltë që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë Ligjin për zyrtarët publikë”-ka thënë Lushtaku.
Ky ligj ka për qëllim rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht përcaktimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë pranimin, klasifikimin e pozitave, ndryshimin, përfundimin e marrëdhënies së punës, të drejtat dhe detyrimet në raport me marrëdhënien e punës, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës.