Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Foto: Kuvendi i Kosovës
Konjufca siguron SHBA-në që nuk do të ketë tensione për shkak të vendimit për dinarin
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se situata në veri të vendit nuk del jashtë kontrollit vetëm pse dinari është hequr nga përdorimi si valutë.
Pas shqetësimeve të shprehura të hënën nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, se Kosova mund të përballet me tensione të reja në veri, kryeparlamentari Konjufca tha se siguron se diçka e tillë nuk do të ndodhë.
“Ajo që dëgjova nga Hovenier ishte që shqetësimi është se mund të ketë turbulenca për këtë vendim në veri. Ne sigurojmë që kjo nuk do të ndodhë, ne jemi institucionet që sigurojmë që siguria do t’iu ofrohet të gjithëve e poashtu edhe që do të përballen me sundim të ligjit të gjithë ata që mundohen me keqpërdor vendimet e ligjshme të Kosovës për me shkaktu trazira që janë të paligjshme në vend. Situata nuk del prej kontrollit pse dinari është hequr nga përdorimi, si valutë e transaksioneve dhe pagesave në Kosovë”- ka deklaruar Konjufca.
Konjufca para gazetarëve tha se dinari dhe shfrytëzimi i tij është dashur që të ndërprehet pas luftës çlirimtare dhe bombardimeve të NATO-s në qëshor të vitit 1999.
“Dinari edhe shfrytëzimi i tij mendoj që është dashur të ndërprehet kur Serbia është larguar nga Kosova, pas luftës çlirimtare dhe bombardimeve të NATO-s në qershor të 1999. Por prej viti 2001 askush nuk ka dyshim që edhe me vetërregullimin institucional të Kosovës edhe me rregulloren dhe me ligjet tona, dinari ka qenë gjithmonë ilegal, tjetër gjë që pastaj forma dhe mënyra të ndryshme është shfrytëzuar dhe përdorur prej institucioneve paralele që i ka pasë Serbia në Kosovë dhe i ka keqpërdorë ato, edhe për financimin e këtyre strukturave të cilat nuk është se kanë qenë vetëm mjekët edhe mësuesit por edhe persona të cilët kanë kryer veprime ilegale dhe shumë të rrezikshme të cilët e kanë cenuar sigurinë e shtetit dhe të Kosovës”- ka deklaruar Konjufca.
Kryetari i Kuvendit theksoi se nga ana e Qeverisë dhe BQK-së është konsideruar se nuk do të shkaktojë probleme dhe turbulenca pasi sipas tij, ligji është i shkruar dhe se e vetmja çështje ka qenë që “institucionet me marrë masa që me u zbatu rregullorja që është e shkruar”.
“Mendoj se dinari është dashur herë do kur me u heq. Kjo që ka ndodhë tashmë me rregulloren e BQK-së është zbatim i një principi i cila ka qenë qysh moti në Kosovë. Tash nëse ju thoni që është dashur me i mbledhë bashkësinë ndërkombëtare dhe me i ulë e me i tregu paraprakisht për këtë veprim, është temë tjetër të cilën mund ta diskutojmë, ndoshta ka mund të ndodhë më herët, ka mund të jetë një afat dy mujor ma herët që me pasë kohë me u përgatitë apo gjëra të tjera”- tha Konjufca.
Më tej, Konjufca tha se Qeveria nuk do mund të ia ndryshonte këtë vendim BQK-së, pasi kjo e fundit siç u shpreh ai, është institucion i pavarur dhe çdo ndërhyrje do “shkatërronte mënyrën se si funksionon Kushtetuta”.
Kryeparlamentari beson se për çështjen e rregullores së BQK-së nuk do të ketë sanksione ndërkombëtare për Kosovën.
“Për këtë arsye besoj që nuk do të ketë sanksione ndërkombëtare për Kosovën për këtë çështje. Mendoj që vërejtjet që janë nuk kanë të bëjnë me ligjshmëri është vetëm mungesa e një afati të nevojshëm kohor për konsultime paraprake mes bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve tona”- argumentoi Konjufca.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, më 1 shkurt ka deklaruar se SHBA e kundërshtojnë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh që valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë të jetë Euro.
Ai u shpreh i shqetësuar se Kosova mund të përballet me tensione të reja në veri.
“Ne jemi të shqetësuar se rregullorja, ashtu siç e kuptojnë ne, nuk e merr parasysh plotësisht ndikimin që do të ketë tek individët, posaçërisht individët që marrin mbështetje financiare nga qeveria serbe këtu në Kosovë dhe mendojmë se kjo çështje meriton një shqyrtim më të kujdesshëm por gjithashtu një diskutim në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Jemi të shqetësuar që potencialisht mund të ketë përshkallëzim të tensioneve etnike dhe të jetë problematike për jetën e përditshme të një numri të qytetarëve të Kosovës”- tha Hovenier.
Më 1 shkurt, ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila parasheh që valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë të jetë Euro.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka kërkuar që Kosova “të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
“Periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre. BE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja’”– tha Stano.
Ndërkaq zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se do të sigurohet tranzicioni i lehtësuar. Ai nuk tregoi se sa do të zgjas periudha e tranzicionit.
“Implementimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transfereve nga Serbia dhe nuk nënkupton dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës së një shteti tjetër”- tha Bislimi.
Rregullorja për operacionet me paratë e gatshme e miratuar nga BQK ka nxitur reagime të ndërkombëtarëve për shkak të nenit që parasheh Euro-n si valutë të vetme si mjet i pagesës në Kosovë.
BQK kishte sqaruar se “valutat e tjera jo euro në Kosovë mund të përdoren si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.
Në Kosovë, qytetarët serbë e përdorin dinarin për blerje e pagesa të ndryshme.