Konjufca: Kushtetutshmëria e Kosovës është ende në formësim

Në 15-vjetorin e Kushtetutës së Kosovës, Grupi për Ballkan ka organizuar konferencën “Analizë gjithëpërfshirëse e Kushtetutës së Kosovës”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova ishte projekt i përbashkët vendor dhe ndërkombëtar në të njëjtën kohë.

Ai ka thënë se Kushtetutshmëria e Kosovës është e re duke qenë se shteti është i ri.

“Kushtetutshmëria e Kosovës është e re, sepse shteti ynë është i ri. Por, ambiciet dhe idealet kushtetuese të Kosovës nuk janë të reja. Kosova ishte projekt i përbashkët vendor dhe ndërkombëtar në të njëjtën kohë. Bashkësia Ndërkombëtare ishte vendimtare për të na ndihmuar. Kjo është edhe pjesë e Kushtetutës tonë. Në atë që quhej pavarësi e mbikëqyrur. Kushtetutshmëria jonë ende është në formësim e sipër, sepse trashëgimia kushtetuese po prodhohet vazhdimisht” – ka thënë ai.

Konjufca ka thënë se Kosova po futet në një fazë stabiliteti kushtetues.

“Kosova shumë shpejt do të futet në një fazë të stabilitetit kushtetuese, në një farë mënyrë është shumë e nevojshme, pas gjithë të kësaj që kemi kaluar, po shoh se jemi të gatshëm të kalojmë në një fazë të stabiliteti kushtetues, situata tani është më e qartë se sa para 10 viteve”- ka thënë ai.

Ndërsa presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është ndër vendet e pakta që kanë një garantim të të drejtave të minoriteteve dhe të gjithë qytetarëve.

“Jemi vendit më vlerësimet më të larat në rajon. Një armë shumë e rëndësishme e Kushtetutës sonë është korniza institucionale. Kushtetuta jonë është tejet unike që i mvesh presidentes një detyrë të rëndësishme. Gjatë këtyre 15 vite Kushtetuta ka ndryshuar. Kemi nisur historinë e saj më mbikëqyre. Para Gjykatës Kushtetuese janë edhe amendament për Vettingun. Gjersa po festojmë këtë shpreh gatishmërinë për të vazhduar në shërbim të vendit ashtu siç kërkon Kushtetuta” – ka thënë Osmani.

Ndërsa, Hajredin Kuçi, udhëheqës i grupit punues për hartimin e Kushtetutës së Kosovës, ka folur për hartimin e saj.

“Ekspertët ndërkombëtar në hartimin e kushtetutës, ata kanë qenë kujdestar të inkorporimit të obligimeve ndërkombëtare, të pjesëve tjera të kushtetutës, kemi qenë të lirë. Kemi qenë të kujdesshëm të krijojmë ADN-në e shtetit, mundesinë e integrimit të Kosovës, lirinë dhe të drejtat, ekonominë e lirë të tregut, të drejtat e komuniteteve, transparencën etj”- ka thënë Kuçi.

Në këtë konferencë është prezantuar edhe raporti i politikave “Kushtetuta e Kosovës: Rishikim Gjithëpërfshirës & Analizë Ligjore”, që analizon 21 çështje kushtetuese që lidhen me sistemin e ligjeve, funksionimin e institucioneve dhe juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese si dhe propozon zgjidhje për mangësitë kushtetuese.