Konferenca e drejtorëve të policive të kryeqyteteve evropiane, merr pjesë edhe drejtori i Policisë së Rajonit të Prishtinës

Drejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, nënkolonel Fehmi Xhata, ka marrë pjesë në konferencën e 42-të të drejtorëve të policive të kryeqyteteve evropiane që po mbahet në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Policisë, në hapjen e kësaj konference si dhe të punimeve të ditës së sotme nënkoloneli Xhata ka shpalosur para të pranishmëve një rezyme të etapave zhvillimore ndër vite të Policisë së Kosovës.

Tutje, Policia tha se pjesëmarrës në konferencë kanë qenë edhe specialistë të Policisë së Kosovës nga njësitë e specializuara si dhe fusha e hetimit të krimeve kibernetike.

Këta të fundit u tha se prezantuan para pjesëmarrësve të arriturat dhe nivelin e shkallës profesionale të këtyre njësive.

Në këtë konferencë prezantimet e tyre i paraqitën edhe përfaqësuesit nga Gjermania, Zvicra, Malta, Republika Çeke dhe Kroacia.

Policia njoftoi se konferenca e radhës, pra e 43-ta, është vendosur që të mbahet në Shqipëri, ndërkaq Estonia u tha se do të jetë vendi mikpritës pas Shqipërisë.