Komuna e Mitrovicës së Veriut largon terracën e lokalit "Grey" - Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Komuna e Mitrovicës së Veriut largon terracën e kafenesë që ishte në pronësi të Radoiçiqit

Me kërkesë të Komunës së Mitrovicës së Veriut sot, më 13.08.2025, është larguar terraca e kafenesë “Grey” e cila gjendej në sheshin “Car Llazar”, pranë zyrave të Listës Serbe.

Kafeneja ishte në pronësi të të kërkuarit për sulmin terrorist në Banjskë, Millan Radoiçiq.

Kjo hapësirë publike tani e tutje mund të frekuentohet lirshëm nga qytetarët në këtë pjesë të qytetit.

Sipas Visar Sylës, shef i kabinetit të kryetarit Erden Atiq, qëllimi i këtij aksioni ishte lirimi i hapësirave publike.

KALLXO.com sjell pamje para dhe pas largimit të këtij konstruksioni.

Kujtojmë se më 04.04.2024, zyrtarët e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar (AAPSK) kanë sekuestruar restorantin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe dhe personit që mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, Millan Radoiçiq.

Përpos restorantit “Grey” që gjendet në Mitrovicë të Veriut ishte konfiskuar edhe një banesë në katin e gjashtë në ndërtesën ku gjendet restoranti.

Policia e Kosovës kishte vazhduar edhe të nesërmen aksionin në pronat e Radoiçiqit.

Në dhejtor të vitit 2023, KALLXO.com raportoi se Millan Radoiçiq, i cili doli publikisht se i priu grupit që organizoi sulmin terrorist në Banjskë tashmë ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i.

Kjo pasi që i njëjti dyshohet për vepra të ndryshme penale e që ndërlidhen edhe me terrorizëm.

KALLXO.com ka siguruar edhe fletarrestimin të cilin INTERPOL-i e lëshoi për Radoiçiqin.

Fletarrestimi bazohet edhe në dy vendime të Gjykatës së Prishtinës në lidhje me të njëjtin person.

Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com, INTERPOL-i ka përmendur edhe dy urdhër-arreste të lëshuara nga Gjykata e Prishtinës.

Gjithashtu në fletarrestim përmendet edhe vendimi për Radoiçiqin si person i kërkuar nga Kosova më 6 tetor.

Millan Radoiçiq sipas vendimeve të institucioneve të drejtësisë në Kosovë dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste, konkretisht, vepra të rënda kundër rendit kushtetues apo sigurisë së Republikës së Kosovës, kryerje të veprave terroriste si dhe pastrim parash.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë të Zveçanit të datës 24 shtator 2023.

Në orët e para të kësaj dite një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese.

Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.