Për cilat vepra penale kërkohet nga INTERPOL-i Millan Radoiçiq

Millan Radoiçiq, i cili doli publikisht se i priu grupit që organizoi sulmin terrorist në Banjskë tashmë ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i.

Kjo pasi që i njëjti dyshohet për vepra të ndryshme penale e që ndërlidhen edhe me terrorizëm.

KALLXO.com ka siguruar edhe fletarrestin të cilin INTERPOL-i e lëshoi për Radoiçiqin.

Fletarresti bazohet edhe në dy vendime të Gjykatës Themelore të Prishtinës në lidhje me të njëjtin person.

Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com, INTERPOL-i ka përmendur edhe dy urdhër arreste të lëshuara nga Gjykata e Prishtinës më 3 dhe 11 tetor të këtij viti.

Gjithashtu në fletarrest përmendet edhe vendimi për Radoiçiqin si person i kërkuar nga Kosova më 6 tetor.

Millan Radoiçiq sipas vendimeve të institucioneve të drejtësisë në Kosovë dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste, konkretisht, vepra të rënda kundër rendit kushtetues apo sigurisë së Republikës së Kosovës, kryerje të veprave terroriste si dhe pastrim parash.

Sulmi terrorist në Banjskë, INTERPOL lëshon fletarrestim për Millan Radoiçiqin

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë të Zveçanit të datës 24 shtator 2023.

Në orët e para të kësaj dite një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese.

Rreshter i Policisë, Afrim Bunjaku ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Gjatë kundërsulmit nga Policia e Kosovës ishin vrarë së paku 3 pjesëtarë të grupit të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, disa ishin arrestuar e shumica kishin ikur në drejtim të territorit të Serbisë.

Autoritetet e Kosovës grupin dhe veprimet e tij i kanë cilësuar si terroriste.

Që nga 24 shtatori dhe në ditët në vijim, forcat e Policisë së Kosovës kanë gjetur në Banjskë dhe në zonën përreth sasi të madhe të armatimit luftarak dhe dëshmi që grupi ishte mbështetur nga shteti serb.

Sulmin e grupit ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar shumë shtete e organizata ndërkombëtare, disa prej të cilëve e kanë cilësuar si terrorist.

Aktualisht, Millan Radoiçiq gjendet në Serbi.

Kush është Milan Radojçiq, “njeriu i fuqishëm” i veriut?