Foto: Arkiv

Komisioni për Buxhet miraton kërkesën e KQZ-së për mjete shtesë

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen buxhetore të mjeteve shtesë për vitin 2024.

Shuma që kërkohet nga KQZ-ja është mbi 1.5 milion euro dhe ka të bëjë me procesin e zgjedhjeve në qendrat komunale të numërimit.Kryeshef ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se kërkesa ka të bëjë me blerjen e kamerave në secilin vendvotim dhe për blerjen e pajisje harduerike dhe softuerike për transparencë.

“Në kuadër të transparencës KQZ ka paraparë të blejë kamera vëzhguese për secilin vendvotim, që i bjen rreth 2 mijë e 500 vendvotime për të blerë nga një kamerë, po ashtu edhe pajisjet tjera softuerike të cilat janë në shërbim të transparencës dhe për këtë janë rreth 1 milion e gjysmë euro të cilat i kemi në buxhet për vitin 2024 dhe të cilat do t’i zhvillojmë gjatë këtij viti. Janë të ndara pjesa kapitale dhe mallra dhe shërbime, sepse disa pjesë janë softuerike, disa janë pajisje që duhet blerë, por sidoqoftë janë 500 mijë euro për procesin e transparencës, janë edhe 750 mijë euro që do të blihen pajisje harduerike dhe softuerike për transparencë, si dhe një milion euro janë për blerjen e kamerave për secilin vendvotim, që në total e kalojnë 1.5 milion euro vetëm për procesin e transparencës në qendrat komunale të numërimit për gjithë vendin”, ka thënë Ahmeti.

Kryetari KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se buxheti i përgjithshëm i këtij komisioni për vitin 2022 ishte 6 milionë e 24 mijë e 134 euro, ndërsa ka theksuar se prej kësaj shumë është shpenzuar 93.2 për qind.

“Me ligjin e buxhetit për vitin 2022 të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, KQZ është akorduar një fond prej mbi 5 milion e 913 mijë me qëllim të funksionimit të institucionit dhe për të përmbushur detyrimet ligjore. Pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në pjesën veriore të vendit, si dhe pas vendimit të Qeverisë, buxheti i përgjithshëm i KQZ-së për vitin 2022 ishte 6 milion e 24 mijë e 134 euro. Pjesa më e madhe e këtij buxheti, shuma prej 4 milion e 200 mijë euro i takon kategorisë së subvencioneve dhe transferove, Në përgjithësi buxheti është shpenzuar 93.2 për qind, apo në shumën prej 5 milion e 617 mijë euro. Edhe një raport tjetër e kemi dorëzuar ku e kemi pasqyruar shpenzimin e buxhetit për vitin 2022, kjo ka qenë me raportin vjetor të punës së KQZ-së, i cili është dërguar Kuvendit të Kosovës vitin e kaluar”, ka thënë Radoniqi./Dukagjini