Deputeti Lushtaku kritikon Qeverinë, thotë se mashtroi lidhur me koeficientin e pagave

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka kritikuar Qeverinë lidhur me koeficientin për paga, duke thënë se ajo ka mashtruar në këtë aspekt.

Ai po ashtu tha se Qeveria ka ndarë buxhetin për komunat në mënyrë të pabarabartë.

“Edhe pse e keni rritë në 110 (euro) koeficientin, e dimë debatin që e kemi pasur, e keni premtu që së paku do jetë 120 euro. Deri dje në rrjete sociale aktivistët e kanë shpërnda ndërsa sot nuk e bëni. Çdo ditë po varfërohen qytetarët” – iu drejtua Lushtaku ministrit të Financave, Hekuran Murati, në Komisionin për Buxhet.

Ministri Murati iu kundërpërgjigj duke thënë se kjo nuk është e vërtetë.

“Në mbledhjen e Qeverisë, kur e kemi miratu koeficientin 105 euro dhe e kemi sjellë në Kuvend për miratim, në shkurt kemi thënë se në vitin 2024 do të jetë koeficienti 110 euro dhe nuk ka devijim nga kjo” – tha Murati.

Lushtaku po ashtu tha se Qeveria po i sheh bizneset si armiq, prandaj e ka përforcuar Administratën Tatimore të Kosovës.

“Ka rritje të të hyrave por sikur polici që mund të dënojë çdo qytetar ashtu edhe ATK mund të gjejë gabim te bizneset, sepse ju po i shihni si armiq e jo mbështetës, prandaj i keni përforcuar këtë pjesën e ATK-së” – vazhdoi deputeti Lushtaku.

Lidhur me këtë, Murati tha se me përjashtim të Shqipërisë, të gjitha vendet e rajonit kanë pasur normë më të rritur të inflacionit sesa Kosova.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha në këtë Komision se buxheti për vitin 2024 nuk është zhvillimor, por qëndron në të njëjtën pozitë, sepse, sipas tij, ai nuk është rritur duke parë inflacionin.

“Kur jemi te pagat, ka një rritje simbolike prej 5 euro por nëse e merr mesataren nuk mjafton dhe është dashur të mendoni mirë duke parë trendin ekonomik. Nuk ka rritje të pensioneve, nuk ka për pensione të veteranëve apo edhe pagesat për fëmijët” – tha Lekaj.

Sipas deputetit Lekaj, mesatarisht çdo pagë rritet për 30 euro dhe këtë ai nuk e sheh të mjaftueshme. Ai tha se me premtimet që ka ardhur Qeveria, është dashur të mendojë më mirë.

“Kur jemi te shumica e investimeve kapitale për vitin 2024, projektet e bartura janë diku 90% e projekteve, e kuptoj që shpenzueshmëria e parave publike ka qenë e ulët. Nëse mjetet rrinë dhe nuk shpenzohen ju si ekonomist e dini se sa ka impakt negativ, duhet të thirren në përgjegjësi ministrat e linjës” – shtoi deputeti i AAK-së.

Lekaj pati kritika edhe për buxhetin e ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes, që ai e konsideroi shumë të vogël.

“Te Ministria e Mbrojtjes, buxheti është 153 milionë euro, që vetëm 20 milionë shkojnë në teknologji. Kur e shohim shtetet përreth se sa investojnë në armatim, kjo është një shumë simbolike. Mendoj që është shumë shumë e vogël” – tha Lekaj.

Hekuran Murati tha se e kanë kaluar Ligjin për Pensionet Parciale dhe tha se janë në procedurë të aplikimeve e presin që të shtohen pensionistë të rinj.

Ministri tha se opozita është kundërthënëse lidhur me subvencionet, sepse sipas tij opozitarët thonë që ka shumë në këtë kategori e në anën tjetër kërkojnë që të rritet.