Borxhi publik, ministri Murati kritikohet nga deputetët e opozitës

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati po raporton para deputetëve të komisionit lidhur më Borxhin Publik.

Shifrat e raportit që ai e ka prezantuar në raport para deputetëve kanë ngjallur diskutime në mbledhjen e mbikëqyrësve parlamentarë.

Sipas deputetëve opozitarë, Avdullah Hoti(LDK) dhe Pal Lekaj(PDK), Murati nuk ka treguar rezultat pozitiv sa i përket çështjes së Borxhit Publik.

Hoti tha se Borxhi Publik është në shifrat e njëjta si në kohën kur Murati e ka marrë mandatin si ministër i Financave.

Ndërsa ka përmendur edhe vlerësimin kreditor të Kosovës.

“Puna jote në borxhin publik shenjë nuk ia ka lënë.  Asgjë nuk ke bërë. 17% e ke gjetë, 17% e ke. Në përfundim të vitit 2023 te gjithë indikatorët janë njëjtë. Pse nuk është bërë vlerësimi kreditor i Kosovës. Para 7 viteve kur kemi punuar bashkë kemi diskutur a të bëhet këtë vit a vitin tjetër. Thuaju njerëzve që nuk keni mbërri ta bëjmë”- tha ai.

Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se Murati nuk ka arritur ndonjë rezultat sa i përket Borxhit Publik.

“Mund të pajtohem se ju e keni mirëmbajtur, por jo që keni rezultat në borxhin publik. Jeni rikthyer në vitin 2018. Pajtohem që 2020 ka qenë vit i pandemisë dhe nuk mund të krahasohen shifrat me atë vit. Nuk guxoni para publikut të thoni se jeni të suksesshëm në ketë aspekt. Ju e keni mirëmbajt pak më mirë së në vitin 2019. Nuk keni pas trend të zvogëlimit enorm të borxhit”- u shpreh ai.

Kritikave të opozitës, Murati u është përgjigjur duke thënë se vitin e kaluar ka pas rënie të Borxhit Publik në 17%.

“Është hera e parë në histori të këtij vendi që ka ulje te raportit të borxhit ndaj GDP-se. U tha që s’ka pas lëvizje- po lexoj shifra. Tash në vitin 2023 ka pas rënie në 17%. Tregjet ndërkombëtare kanë kosto të tregut. Çdo huamarrje në kushte të tregut është më lartë se 4%. Ne do ta bëjmë vlerësimin kreditor. Asnjë qeveri para nesh nuk e ka bërë- ne do ta bëjmë. Tri vite me radhë na është dashtë me e dëshmu që e kemi ulë borxhin publik. Do të ketë trajnim kreditor- veç durim duhet”- ka thënë ministri.

Sipas tij, qeveria prej marrjes së mandatit është munduar ta stabilizojë Borxhin Publik.