Kryesuesi i bordit të KOSTT-it: Qeveria pagoi afërsisht 113 milionë euro për dy vjet për rrymën e shpenzuar në veri

Mbi 63 milionë euro janë ndarë nga Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2022 për mbulimin e energjisë elektrike të shpenzuar në katër komunat në veri të Kosovës.

Kështu bëri të ditur kryesuesi i bordit të drejtorëve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), Jeton Mehmeti, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Mehmeti tha se KOSTT-in vazhdon ta përcjellë një ndër sfidat më të mëdha që është jashtë kontrollit të tij – mungesa e mbulimit të humbjeve të konsumit për pjesën veriore.

“KOSTT-in vazhdon me e përcjellë një ndër sfidat më të mëdha që është jashtë kontrollit të tij që është mungesa e mbulimit të humbjeve të konsumit për pjesën veriore. Përshkrimi i përgjithshëm i performancës për vitin 2022, indikatorë kyçë të përformancës financiare gjatë vitit 2022 të gjithë indikatorët janë realizuar përveç treguesit që ka të bëjë me qarkullimin e kërkesave” – deklaroi Mehmeti.

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka pyetur Mehmetin se sa ka investime në pjesën e veriut sa i përket energjisë elektrike.

“Mua më intereson, por edhe opinionit publik, që të informohem drejt, sa ka investime në pjesën e veriut për energjinë elektrike?”- ka pyetur Lushtaku.

Mehmeti tha se në raport është vlera diku 63.2 milionë euro për vitin 2022.

“Në raport është vlera diku 63.2 milionë euro për vitin 2022. Mjetet për vitin 2022 janë mjete të ndara prej buxhetit të Republikës së Kosovës të cilat iu kanë dhënë KOSTT-it si subvencion për likuiditet financiar”- u përgjigj Mehmeti.

Kurse deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka pyetur Mehmetin se sa është paguar për dy vite energjia e humbur në veri.

“Në total, në vitin 2021 dhe 2022  e deri tash nëse keni të dhëna për sivjet, sa kemi pagu për energjinë e humbur në veri?”- ka pyetur Hoti.

“Nuk i kam ato të dhëna tash, i nderuar, por përafërsisht deri në 113 milionë duhet të jetë vlera”- është përgjigjur kryesuesi i bordit të drejtorëve të KOSTT-it.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, kritikoi ekzekutivin, pasi sipas tij sa kanë qenë në opozitë “nuk e di që çka nuk është thënë, e sharë dhe sot po vazhdojmë të paguajmë jo 1 milion por 113 milionë euro për veriun e Kosovës”.

“Ajo që vlen të theksohet dhe po e përsëris është që Qeveria e Kosovës vazhdon të paguajë humbjet në veri dhe vazhdon të paguaj mosdëgjueshmërinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës në veri dhe ajo që dua ta theksoj është se është e vërtetë që edhe ish-qeveritë kanë paguar por me ndryshim të vogël. Më kujtohet kur kam qenë në Qeverinë Hardinaj i kemi ndarë 1 milion euro për veriun dhe nga kjo Qeveri që ka qenë atëherë ne opozitë nuk e di që çka nuk është thënë, e sharë dhe sot po vazhdojmë të paguajmë jo 1 milion por 113 milionë euro për veriun e Kosovës”- deklaroi Lekaj.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind. Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme.

Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa më pas është bërë nga Qeveria e Kosovës dhe KOSTT-i.