Komisioni aprovon kërkesën e Auditores së Përgjithshme për ulje të pagës

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar kërkesën e Auditores së Përgjithshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca për ulje të pagës nga 3800 euro në 2800 euro.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci e ka konfirmuar për KALLXO.com se kjo kërkesë i është aprovuar.

“Po, është miratuar kërkesa nga komisioni dhe paga është caktuar 2800 euro”, tha ajo për KALLXO.com

Sipas procedurave, aprovimi i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere do të shkojë si rekomandim në Kuvendin e Kosovës dhe më pas do të votohet nga të gjithë deputetët.

Spanca kishte thënë se duke marrë parasysh edhe gjendjen ekonomike në Kosovë, ky vendim do të ishte më i drejtë.

“Duke i marrë parasysh rrethanat që janë kam mendu që paga duhet  të jetë me e ulet pasi që duhet të demonstrojnë një shembull pasi  i shohim edhe institucionet e tjera ku janë pagat më të ulëta. Do ta kryej punën pavarësisht pagës. Unë kërkoj që paga të mos kaloj 2 mijë e 800 euro. Nuk është vendim popullist se unë nuk jam politikane”, tha ajo.