Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, - Foto: KALLXO.com

KOMF-i kërkon nga mediat të largojnë pamjet lidhur me vdekjen e 18-vjeçarit në Podujevë

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, ka reaguar në lidhje me publikimet e pamjeve lidhur me rastin e vdekjes së 18 vjeçarit në Podujevë.

KOMF-i ka kërkuar që mediat të largojnë pamjet pasi sipas tyre, të njëjtat nuk janë në interes të publikut dhe në funksion të raportimit etik dhe profesional.

“KOMF kërkon nga mediat që të largojnë pamjet filmike të publikuara lidhur me ngjarjen e ndodhur në Komunën e Podujevës. Pamjet filmike dhe imazhet të cilat shfaqin viktimën dhe të dyshuarit të mitur nuk janë në interes të publikut dhe në funksion të raportimit etik e profesional”- thuhet në reagim.

Më tej, Koalicioni i OJQ-ve ka theksuar se do të parashtrojë ankesë tek organet kompetente lidhur me raportimet për këtë rast.

“Kapitulli VI i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës “Trajtimi i tragjedive personale, mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve” specifikisht rregullon raportimin e rasteve të tilla, duke kërkuar trajtim të kujdesshëm dhe diskret të tyre, mbrojtje të privatësisë dhe respektim të dhimbjes së familjeve të tyre. KOMF do të parashtrojë ankesë tek organet kompetente lidhur me raportimet për këtë rast”- kanë deklaruar nga KOMF-i.

Rrahim Fejzullahu, xhaxhait i 18 vjeçarit, Lulzim Fejzullahu ka treguar se nipi i tij u godite dhe më pas u rrah për vdekje nga dy të mitur.

Ai ka treguar se i gjithë rasti ka nisur te berberi dhe sipas informacioneve të tij ka qenë një fjalosje e rastit.

“Lulzimi ka qenë një djalë i pa sherr, i pa probleme. Lulzimi ka qenë një punëtor, ka punuar në një hamburger (fast-food), e ka mbajt vetën. Ka qenë jetim i pa baba i pa nënë.

Vdekjen e 18-vjeçarit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, duke bërë të ditur se po në të njëjtën ditë (14 janar) kanë arrestuar dy të dyshuar dhe se rasti është ricilësuar si “Vrasje e Rëndë”.

“E godasin me veturë, pastaj e rrahin brutalisht”, xhaxhai i 18 vjeçarit nga Podujeva pas vdekjes së nipit të tij