Komentet e konsumatorëve ndaj ZRrE-së për tarifat e energjisë

Konsumatorët përmes postës elektronike kanë parashtruar komente tek Zyra e Rregullatorit të Energjisë lidhur me Raportet për shqyrtim të jashtëzakonshëm dhe Rishikimin e Strukturës tarifore.

Më poshtë gjeni komentet e konsumatorit drejtuar ZRrE-së për bllok-tarifat dhe shtrenjtimin e energjisë:

-Mesatarja e bllokut prej 600 Kwh për konsumatorët shtëpiak është jo reale meqë në Kosovë janë shumë orë të rrymës të cilat i posedojnë personat që nuk jetojnë në Kosovë dhe konsumi mesatar është më i lartë.

-Ne ngarkohemi me kosto shtesë për KwH që i shfrytëzojnë mbi 600 Kw meqë furnizuesi ka kosto më të lartë për çdo KwH mbi 600 edhe kjo nuk është e drejtë sepse bizneset nuk po ngarkohen me kosto shtesë edhe pse edhe ata furnizohen nga totali KwH të Kosovës.

 -Konsumatorët kanë kërkesa që mos të aplikohet bllok-tarifa por rritje të ketë për të gjithë konsumatorët ngase disa konsumatorë nuk kanë zgjidhje alternative të ngrohjes.

– Konsumatorët kanë komentuar se nuk duhet rritet rryma ngase kemi rritje të kostos së jetesës dhe nuk kemi të ardhura të paguajmë edhe shtrenjtimin e energjisë elektrike.

-Konsumatori është kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, kundër privatizimit të distribucionit që ka ndodhur, investimeve që ka bërë KEDS-i.

 – Konsumatori është në parim për rritjes të çmimit me furnizim furnizim 24/7, problemin e veriut ta rregulloni, bëjeni kufirin mbi 800 KwH dhe mos e shtrenjtoni shumë.

-Konsumatorët kanë dhënë komente se janë kundër rritjes së çmimit duke e lidhur me GDP për capita, papunësinë, si dhe rroga mesatare mes shteteve atëherë do të rezultoni në lirim të rrymës dhe jo në shtrenjtim.

 -Konsumatori është kundër shtrenjtimit të rrymës, kundër shtrenjtimit masiv të rrymës. Ndoshta të shtrenjtohej maksimum 20% do të ishte e pranueshme, ama të shtrenjtohet 40% është e tepërt.

 -Konsumatori nuk e ka të qartë strukturën e rritjes së çmimit te energjisë elektrike dhe propozimin e tarifave.

– Konsumatori i kupton problemet globale me energji dhe është dakord me rritjen, por sipas tij, dëmi po u bëhet konsumatorëve të ndërgjegjshëm që janë pagues.

 -Ky konsumator ka pyetur se në mesataren e shpenzimit të rrymës a futen edhe rastet e mbi 100,000 njehsorëve të banesave të mërgimtarëve, apo banesave që janë në shitje.

-Shqetësim tjetër ka edhe ngritjen e çmimit për amvisëri, ndërsa çmimi i rrymës për biznese mbetet i njëjtë që është jashtë çdo logjike.

 -Konsumatori ka komentuar se duhet ta shihni këtë gabim që jeni duke e bërë dhe që mos të jetë i qëllimshëm nga ana e juaj se kjo dëmton çdo familje në kushte të ulëta jetese, përveç atyre që janë në gjendje shumë të mirë ekonomike kush sipas kalkulatorit tuaj një familje me 600 KwH shpenzime subvencionohet 3 euro ndërsa një tjetër me 1500 KwH shpenzime subvencionet mbi 50 euro!

– Konsumatori ka një ankesë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike , kërkesa e tij është: prej orës 22:00 deri në orën 07:00 mos me pas ngritje të çmimit të Kwh dhe vikendin ta kemi me ulje çmimin e Kwh. Kjo do ishte me drejt për ne.

 – Konsumatori ka pyetur se me çfarë metode është bërë kalkulimi i shpenzimit mesatar të një shtëpie meqenëse është kategorizuar në 600 Kwh, shpenzimi mesatar i një shtëpie.

-Shqetësimi i konsumatorit është nëse tarifat e propozuara hyjnë në fuqi nga data 01.02.2022, atëherë Kwh-të e muajit janar do të llogariten si Kwh të shpenzuara për muajin shkurt. Andaj ka propozuar që në vendimin për tarifat, të kërkoj nga KESCO llogaritjen e Kwh të konsumuara për muajin janar deri me datën 31.01.2021 (qoftë edhe me lëshimin e faturës plotësuese për muajin janar).

  -Konsumatorët janë kundër shtrenjtimit të energjisë dhe do të marrin pjesë në çdo protestë vetëm e vetëm për të ndalur këtë vendim.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatët e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.

Rikthehen bllok-tarifat e energjisë, konsumatorët që do të preken nga rritja e çmimit të energjisë