Policia e Kosovës

Kioska e djegur e Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut është larguar (FOTO)

Një kioskë e Policisë së Kosovës e cila ishte vendosur muaj më parë në lagjen “Tre rrokaqiejtë” në Mitrovicën e Veriut, është sulmuar me mjete të dyshimta në orët e para të mëngjesit dhe e njëjta më pas u përfshi nga flakët.

KALLXO.com ka siguruar një fotografi të gjendjes së kioskës në momentet kur ishte djegur. Kjo kioskë më pas është larguar nga aty.

Këtë kisokë e shfrytëzonin zyrtarët policorë të rendit që janë vendosur në pjesën e Mitrovicës së Veriut që nga viti i kaluar.

KALLXO.com që po qëndron në lagjen ku është djegur kioska e Policisë së Kosovës. Në të njëjtin vend janë vendosur edhe disa zyrtarë të njësisë së reagimit të shpejtë pas sulmit.

Kioska e djegur është zhvendosur nga lokacioni ndërsa pika statike e policisë vazhdon të qëndrojë aty.

Në këtë lagje ku janë vendosur disa ekipe të policisë dje pati edhe vizitë nga kryeministri Kurti, i cili kishte parë nga afër punën dhe angazhimin e policëve edhe në ditën e Festës së Kurban Bajramit.

Deri më tani sipas zv.drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani nuk ka ndonjë person të dyshuar për djegien e kioskës se policisë në lagjen “Tre Rrokaqiejtë”.

Elshani ka thënë se kjo pikë dyshohet se është djegur me mjete piroteknike.

“Rreth orës 03:00 të mëngjesit është djegur pika statike e Policisë së Kosovës në Mitrovicë të veriut, te Tre rrokaqiejt. Dyshohet se është djeg me mjete piroteknike. Nuk ka persona të lënduar”- tha ai për KALLXO.com.

Rasti po cilësohet si kryerje e veprës terroriste.