Vendvotim në Mitrovicën Veriore - 21.04.2024

DnV: Në orët e para interesim minimal i qytetarëve për të marrë pjesë në votim

“Demokracia në Veprim”, njofton se në orët e para të procesit të votimit për apo kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave në veri të vendit është parë një interesim minimal i qytetarëve për të marrë pjesë në këtë votim.

Sipas vëzhguesve të DnV-së, të gjitha qendrat e votimit që janë vizituar deri tani, janë hapur me kohë dhe komisionerët kanë qenë të pranishëm. Ndërkohë, raportohet se edhe Policia e Kosovës është prezente dhe po garanton sigurinë e procesit.

DnV ka vlerësuar se sa i përket administrimit të procesit Komisioni Qendror Zgjedhor është vonuar me informim për qytetarët lidhur me vendndodhjen e qendrave të votimit, “meqë ky vendim është marrë vetëm një ditë para procesit të votimit”.

Gjatë vizitave të vëzhguesve nëpër Qendra të Votimit, sipas DnV-së, është vërejtur se disa prej tyre nuk mundësojnë qasje për persona me aftësi të kufizuar dhe për persona që janë në moshë të shtyrë.

“Votimi brenda disa Qendrave të Votimit është aranzhuar për disa vendvotime në një hapësirë të përbashkët sipas modelit të hapur. Poashtu është vërejtur se në të gjitha vendvotimet ka të vendosura kamera të sigurisë, ndërkohë që kabinat e votimit janë të vendosura në pozicionin që mund t’a cenojnë fshehtësinë  e votës dhe mund të shihen si intimidim nga votuesit. instruksionet për vendosjen  kabinave të votimit në këtë mënyrë janë përfshirë në udhëzuesit që KQZ ka përgatitur. Kjo është hera e parë që qytetarët do të votojnë nën survejimin e kamerave”, ka njoftuar DnV.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023.

Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i cili i ka hapur rrugë këtij procesi e përcakton që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.

Nëse shpallet një rezultat i tillë nga KQZ-ja, atëherë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, brenda afatit ligjor prej 30 deri në 45 ditë shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, apo ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh.

Në Leposaviq janë 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok 6 mijë e 877 votues, në Zveçan 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 18 mijë e 796 votues.