Kërkesa për futjen në karantinë të komunës së Malishevës, flet kryetari Ragip Begaj

Një grua e cila kishte ardhur në Kosovë me datën 1 mars nga Italia përmes Aeroportit të Prishtinës, ka dalë se është e infektuar me coronavirus.

Kështu është njoftuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë duke shtuar se në analizat e fundit që janë bërë edhe një tjetër ka dalë me coronavirus.

Deri më tani numri i të infektuarve me coronavirus në Kosovë ka shkuar në pesë raste.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj i ka thënë KALLXO.com se po pret sugjerime nga ana e nivelit qendror për izolim të Komunës.

“Ta këqyrim tash për izolim të komunës, duhet me prit sugjerime nga lart se ne nuk jemi ekspertë të kësaj lëmie, ata japin vlerësime dhe ata qysh të na thonë ne veprojmë”, tha Begaj.

Ai shtoi se kanë kërkuar që familja e të prekurës me virus të futet në izolim menjëherë pasi që kanë pasur kontakte mes vete.

“I kemi porositur që familja me shku në karantinë dhe duhet me këqyr tash rrethin nga ka qarkullu kjo familje. Jemi bukur të shqetësuar të këqyrim matutje se si po rrjedhin gjerat. Kjo ka ardhur në Kosovë te familjarët e saj. Me punë atje, plot nga Malisheva në Itali janë. Kanë ardhur edhe familjarë të tjerë që kanë ardhur të gjitha janë duke u kontrolluar ta shohim si po rrjedhin gjërat”, shtoi Begaj.

Ai tha se rasti i parë me coronavirus në komunën që drejton u prit me shumë shqetësim.

“Deri më tani s’kemi rast tjetër as të dyshuar. Është ky i vetmi rast por kemi shumë shqetësime dhe jemi duke e përcjellur gjendjen”, tha ai.

Vetëm dje dhe sot pesë raste janë konfirmuar me coronavirus.

Tre familjarë nga fshati Stubëll i Komunës së Vitisë, një tjetër në Klinë dhe një person në Malishevë janë rastet e konfirmuara zyrtarisht se janë të konfirmuar me virusin corona.

KALLXO.com do të u mbaj të informuar në lidhje me rrjedhjen e ngjarjeve sa i takon këtyre rasteve.

Shkon në 5 numri i të infektuarve, konfirmohen edhe dy raste me coronavirus

.