Foto: KEDS/Facebook (24.09.2025)

KEDS: Zjarret në fusha në Novobërdë djegin disa shtylla të rrymës, një numër konsumatorësh mbesin pa energji elektrike

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovës (KEDS) njofton se për shkak të një zjarri në fusha të Novobërdës një numër i madh shtyllave të tensionit të mesëm dhe të ulët janë djegur. 

Përveç kësaj, siç njofton KEDS, edhe nënstacioni “35/10 kV Artana” është në rrezik nga zjarri që po përhapet shumë afër tij. 

Sipas njoftimit, si pasojë e kësaj, ky nënstacion është jashtë funksionit, duke lënë një numër të caktuar të konsumatorëve pa furnizim me energji elektrike. 

KEDS-i thot se ende nuk dihen dëmet e sakta të shkaktuara nga ky zjarr, meqë vatra aktive të zjarrit janë përhapur gjithandej. 

“Megjithatë, KEDS-i ka mobilizuar ekipe shtesë, të cilat ndodhen në vend dhe po bëjnë të pamundur që dëmi në asetet elektroenergjetike të mos përhapet edhe më.KEDS-i u bën thirrje të gjithë konsumatorëve të asaj ane të kenë kujdes të shtuar dhe të raportojnë çfarëdo rasti që ka të bëjë me sigurinë e tyre” – thuhet në njoftimin e datës 24.09.2025. 

Tutje, në njoftim thuhet se për shkak të dëmeve të mëdha në rrjetin elektrik shpërndarës, riparimi i tyre do të marrë kohë, për çka kanë kërkuar mirëkuptim nga konsumatorët e prekur.